Reciprociteti i Qeverisë Kurti “gjunjëzon” ekonomikisht Serbinë: Dje nuk u lejua të futej një kamion

Reciprociteti i Qeverisë Kurti “gjunjëzon” ekonomikisht Serbinë: Dje nuk u lejua të futej një kamion

Gjatë ditës së djeshme, më 1 prill, ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, për heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe zëvendësimi i kësaj mase me reciprocitet.

Dymbëdhjetë orë pas largimit të tarifës doganore 100%, në Kosovë kanë hyrë gjashtëmbëdhjetë kamionë me mallra. Tre prej tyre, gjatë së mërkurës kanë kaluar nëpër pikën kufitare në Merdare.

Ndërkohë në orët e pasdites të së mërkurës, një maunë nga Serbia nuk është lejuar të futet në Kosovë për shkak të mungesës së certificates fito-sanitare.

“Një maunë me mallra nga Serbia është në procedurë kthimi, pasi nuk ka pasur certifikatë fitosanitare që kërkohet me vendimin e Qeverisë për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë”, ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, për Kohën.

Ndërkohë që dje në fshatin Tresave, Leposaviq, janë arrestuar dy të dyshuar shtetas të Serbisë të cilët nga njësiti policor janë hasur me automjetin e tyre në të cilin kishin ngarkuar 3.5 tonë pemë dhe perime të ndryshme.

“Të dyshuarit ilegalisht kishin hyrë në Kosovë, kishin kontrabanduar mallrat dhe nuk kanë respektuar vendimin e qeverisë gjatë epidemisë”, thuhet në raport, transmeton Koha.

Pas intervistimit të të dyshuarve, Policia e Kosovës thotë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet policore sipas udhëzimeve të prokurorit.

Shpërndaje në: