Reciprociteti me letënjoftim u nxjerr telashe banorëve të Luginës

Reciprociteti me letënjoftim u nxjerr telashe banorëve të Luginës

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka vendosur të mos i njohë dokumentet e identifikimit që i lëshon Serbia.

Masa e reciprocitetit, sipas udhëheqësëve në Luginë të Preshevës, do t`u nxjerr jo pak telashe shqiptarëve të atjeshëm.

Këta, sikurse edhe serbët, që paraqiten në pikëkalime të kufirit me Kosovën me dokument të identifikimit personal të Serbisë duhet të pajisën me një fletëdeklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa thotë se krerët kosovarë është dashur ta mendojnë këtë.

“Sigurisht shqiptarët e Luginës së Preshevës përshëndesin dhe mirëpresin çdo vendim të Republikës së Kosovës apo institucioneve të Republikës së Kosovës që forcon shtetësinë dhe sovranitetin. Megjithatë, ashtu si në të kaluarën kemi kërkuar vëmendje të veçantë sa i përket vendimeve që rëndojnë qarkullimin e shqiptarëve të Luginës të cilët përveç lidhjeve historike, tradicionale, familjare kanë edhe ekonomike e kulturore”, u shpreh Mustafa për “Front Online”.

Në anën tjetër, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi shprehet i bindur se kjo masë do të shkaktojë kalona nëpër kufij.

“Normalisht na krijon problem sepse jemi të lidhur me Kosovën. Një numër i madh i qytetarëve tonë frekuenton Kosovën apo Preshevën, në të drejtimet pra. Do të akumulohen radhë të gjata pritjesh”, theksoi Arifi.

Ky bile ka një propozim.

“Qeveria duhet të vendos masë reciprociteti mbi flamurin serb, i cili në veri të Kosovës është i ekspozuar, përderisa në Luginë, flamurin kombëtar, e lëre më atë të Kosovës kemi të drejtë ta vendosim dikund. Pra të fillojmë me gjëra të dukshme”, u shpreh Arifi.

Vendosja e reciprocitetit ka nxitur reagime të ashpëra nga liderët politikë në Serbi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ia ka përcjellë një kërcënim.

“Përgjigjja jonë do të jetë e matur, por vdekjeprurëse dhe e vërtetë”, ka thënë ai.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se e kanë njoftuar paraprakisht QUINT-in dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak për këtë masë.

Shpërndaje në: