Rektorati i UPZ’së i përgjigjet Parlamentit Studentor: Çështja e zgjedhjes së rektorit nuk është punë e juaja

Rektorati i UPZ’së i përgjigjet Parlamentit Studentor: Çështja e zgjedhjes së rektorit nuk është punë e juaja

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit dje ka dorëzuar padi në Prokurorinë në Prizren, ndaj katër  anëtarëve të Këshillit Drejtues të UPZ’së, ‘Ukshin Hoti’, Bedri Muhadri, Isak Hoxha, Parim Kosova dhe Soner Yildirim.

Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar edhe Milot Krasniqi, kryetari i Parlamentit Studentor në UPZ, duke thënë se personat e lartëcekuar kanë bërë shkelje në lëshimin e vendimit për zgjedhjen e u.d Rektorit të UPZ’së.

Lidhur me këtë, Periskopi sot ka marrë edhe një përgjigje nga Rektorati i UPZ’së, ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, të cilët kanë thënë se zgjedhja e rektorit nuk është çështje studentore, por e organeve të universitetit.  Sipas tyre vendimi për zgjedhjen  e rektorit është shfuqizuar pas ankesës dhe padisë së parashtruar. Ndërsa ai për ushtrues detyre është ende në fuqi.

Rektorati thekson se ushtruesi i detyrës  Ismet Temaj i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë atë pozitë.

‘’Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj nuk ka asnjë pengesë ligjore për të ushtruar detyrën e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, përderisa i ka plotësuar të gjitha kushtet në bazë të Statutit për tu zgjedhur në këtë detyrë, të cilin fakt e ka konfirmuar komisioni profesional i Senatit.

U.d. Rektori Temaj është deklaruar edhe më herët se i respekton vendimet e organeve në çdo nivel.

Këshilli Drejtues e ka shfuqizuar vendimin e më hershëm për zgjedhjen e rektorit, pra është arritur kërkesa e palës që është ankuar dhe që ka ushtruar padi në gjykatë dhe vendimi nuk është  më në fuqi.

Zgjedhja e rektorit dhe u.d. rektorit është çështja administrative dhe nuk besojmë që ka elemente për konsumimin e veprës penale.

Studentët kanë të drejtë të protestojnë për çështje të studentëve, mirëpo zgjedhja e rektorit nuk është çështje studentore por çështje e organeve të universitetit.’’, thuhet në përgjigjen e tyre për Periskopin.

Tutje Rektorati ka kritikuar anëtarët e tjerë të Këshillit se nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues.

‘’Është e pa pranueshme se si anëtarë të Këshillit Drejtues nuk marrin pjesë në mbledhje të këtij organi më të lartë të Universitetit ndërsa në anën tjetër thirren në respektimin e rregullave. Nëse dikush është fajtor për ndonjë dilemë eventuale në vendimet e Këshillit Drejtues janë tre anëtarët e KD që nuk marrin pjesë në mbledhje, duke vepruar në kundërshtim me obligimet dhe detyrat e tyre të punës.’’, thuhet nga Rektorati i UPZ’së./Periskopi/

 

 

 

 

Shpërndaje në: