Renditja e FIFA-s: Pritet ngritje e madhe e Kosovës dhe Shqipërisë

Periskopi.com Sporti

FIFA do të publikojë renditjen e muajit shtator për kombëtaret e futbollit. Shqipëria, në bazë të përllogaritjeve, pritet që të përmirësohet me tri vende nga muaji i kaluar.

Në gusht kuqezinjtë renditeshin në vendin e 69-të dhe këtë muaj do ta shohin veten në pozitën e 66-të, në bazë të pikëve të grumbulluara pas fitores me Hungarinë dhe goleadën me San Marinon.

Kjo vjen nga performanca e mirë që Kombëtarja ka bërë në ndeshjet e fundit si dhe pozicionimi në vendin e dytë të Grupit I për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Sa u përket kundërshtarëve të grupit tonë, Anglia pritet që të qëndrojë në vendin e tretë, Polonia të ngjitet me tri pozicione dhe Hungaria të zbresë me tri, përkatësisht në vendin e 24-t dhe 40-t.

Pozicionin më të mirë Shqipëria e ka arritur në gusht të vitit 2015, kur renditej në vendin e 22-të dhe lamë pas kombëtare si Franca dhe Danimarka.

Kosova në muajin gusht ishte e 114- ta dhe në shtator pritet që të ngjitet me pesë vende në renditje dhe zë vendin e 109-të.

Sa i përket kreut të renditjes, Belgjika, sipas llogaritjeve të pikëve, mban kryesimin ndërsa Brazili ndjek.

Shpërndaje në: