Rexhbeçaj për pushime në Kosovë, rast për të bërë hapin e madh drejt Kombëtares së Kosovës

Periskopi.com Sporti

Elvis Rexhbeçaj ka qenë një prej emrave të fundit që është përfolur se do të jetë ardhja e re në Kombëtaren e Kosovës në futboll.

Spekulimet rreth ardhjes së tij i konfirmoi vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i cili kishte thënë se Mërgim Berisha dhe Elvis Rexhbeçaj ‘mund të vijnë te Kosova’, në një prononcim për RTV Dukagjini, shkruan Periskopi.

Redaksia e Periskopit ka mësuar sot se futbollisti, i cili është pjesë e VfL Bochumit në Bundesligë si i huazuar nga VfL Wolfsburg, do të udhëtojë me familje drejt vendlindjes së tij, në Gjonaj të Prizrenit, për pushimet e fundvitit.

I njëjti, gjatë periudhës qëndruese, pritet të vazhdojë kontaktet me FFK-në, me të cilën tashmë ka stabilizuar një urë komunikimi.

Burime të Redaksisë potencojnë se përfaqësuesit e futbollistit tashmë janë takuar ose kanë kontaktuar me ata të FFK-së në Gjermani, me vetë presidentin Ademi që shtohet tutje se ka mbajtur biseda me ta.

Mëtej, thuhet se FFK ka kontaktuar edhe me drejtorin dhe trajnerin e klubit të futbollistit, teksa e ardhmja e mesfushorit te Kombëtarja është ende në ajër.

Kujtojmë se Rexhbeçaj është aktivizuar rregullisht me Bochumin këtë sezon, duke bërë 13 paraqitje në total. /Periskopi.com/