Rikapitulim i debatit të mbrëmshëm në emisionin “Click”

Rikapitulim i debatit të mbrëmshëm në emisionin “Click”

Në emisionin e mbrëmshëm “Click” në RTV21, u diskutua për Lëvizjen Vetëvendosje, diskursin e saj dhe cilësimet e fundit ndaj saj si terroriste. Shkas për debat u bënë arrestimet e fundit të aktivistëve të Lëvizjes me akuzën se e kishin planifikuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera.

Pjesëmarrës në debat, veç dy debatuesve të përhershëm në Click, Halil Matoshit dhe Driton Selmanajt, ishin edhe dy antarët e VV-së, Dukagjin Gorani dhe Dardan Molliqaj.

Molliqaj dhe Gorani e mohuan kategorikisht pretendimin e Prokurorisë se aktivistët e tyre janë të përfshirë në aktin për të cilin akuzohen. Njëzëri, dyshja e Vetëvendosjes, e quajti rastin të inskenuar. Dukagjin Gorani, në fillim të debatit, parashikoi trazira në javët në vijim përmes besimit se Qeveria është e paaftë t’i frenojë pakënaqësitë në rritje.

Gorani, tash pjesë e VV-së, mendon se ndryshimi në një shoqëri si kjo e jona medoemos të çon drejt destabilizimit të vendit, për shkak se, sipas tij, krimi është rrënjosur aq thellë në institucione, sa përfaqësuesit e tyre do të jenë të frikësuar dhe do të insistojnë me çdo kusht që të mbesin kapësit e tyre.

Opinionisti Halil Matoshi, iu bashkua qëndrimit të anëtarëve të VV-së, duke shprehur mendimin se prapa sulmit ndaj shtetit qëndron vetë shteti. Ai e rimerr pyetjen e juristit të famshëm romak Ciceronit “Qui bonno?” ose në shqip “Kush përfitoi?” për të treguar se një sulm i tillë, më së paku i konvenonte Vetëvendosjes dhe opozitës në përgjithësi, dhe më së shumti Koalicionit qeverisës, për shkak të paaftësisë për t’i justifikuar marrëveshjet që i kishte bërë.

I të njëjtit mendim nuk ishte Driton Selmanaj. Ai deklaroi se çështja do duhej t’i lihet në dorë Prokurorisë dhe institucioneve përkatëse, të cilët në shumë raste, në mungesë provash i kishin liruar aktivistët e Vetëvendosjes. Megjithatë, edhe Selmanaj sikurse Matoshi, u lëshua në paragjykime, duke e përmendur diskursin e Vetëvendosjes si një përfytyrim-ndjellës të terrorit dhe dhunës. Ndaj kësaj deklarate reagoi Dukagjin Gorani, i cili përmendi percepsionet ose përfytyrimet të cilat i kishte ndjellur te opinioni publik, Qeveria, përmes skandaleve, korrupsionit, aferës Pronto e kështu me radhë. Ky është terrori i vërtetë – përfundoi ai.

Debati i djeshëm u karakterizua nga një frymë më e qetë dhe nga një debat pa shumë britma e zhurmë, ani pse, tema premtonte diçka të tillë. Një pjesë e konsiderueshme e debatit u zhvillua në nivelin personal: Molliqaj e akuzoi Selmanajn se i mbante anë LDK-së ndërkohë që ky i fundit nuk e pranonte një gjë të tillë.

Një e metë serioze e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet qasja ad hominem ndaj gazetarëve dhe opinionistëve që i vihen kundër. Kjo gjë e cënon rëndë mendimin dhe fjalën e lirë. Një kundërvënie me argumente dhe fakte – siç e bëjnë shpeshherë anëtarë të ndryshëm të VV-së  – është mëse e mjaftueshme.

Një gjë u tha me një siguri të madhe nga të gjithë debatuesit: Koalicioni qeverisës është i pasigurtë dhe nëse me të vërtetë e ka inskenuar një rast të tillë, e ka për detyrim t’i lëshojë karriget.  /J.Buja/Periskopi/

Shpërndaje në: