Rikthimi i lavdisë i Telekomit të Kosovës

Rikthimi i lavdisë i Telekomit të Kosovës

Për vetëm një vit, kompania Telekom ka arritur që t’i japi fund marrëveshjes së dëmshme dhjetë vjeçare me Z-Mobile, ka stopuar punësimet partiake, derisa, ka kthyer në pronësi të saj mbi 200 mijë numra.  Krye shefi i Telekomit, Bedri Istrefi ka numëruar sfidat dhe sukseset e kompanisë.

Viti 2019-të, mund të konsiderohet vit suksesi për kompaninë që dikur ishte më profitabilja në vend, e që është duke bërë rrugë për kthimin e lavdisë.

Telekomi i Kosovës ka përfunduar me sukses betejën 10 vjeçare me Dardafonin, derisa, edhe pas kërcënimeve për dërgim te përmbaruesi e për ngrirje të llogarive, nga kjo kompani nuk e kanë vazhduar këtë kontratë, që është raportuar se i ka shkaktuar humbje milionëshe për një dekadë.

Me datë 30 korrik kur edhe ka përfunduar zyrtarisht kontrata, nga Telekomi i Kosovës kanë njoftuar se pas disa hulumtimeve që janë bërë, ka rezultuar se një marrëveshje e tillë e ka futur kompaninë në krizë financiare.

Shkëputja i dha fund humbjeve, që sipas raportimeve kishin shkuar në 104 milionë  derisa, Z-Mobile kishte dalë në fitim më shumë se 79 milionë euro. Mirëpo, shkëputja e kësaj kontrate të dëmshme nuk është i vetmi sukses i kompanisë.

Pas përfundimit të kontratës, nga ky institucion janë siguruar që mbi 200 mijë numra të Z-Mobile të kalojnë në platformën e Valës. Kjo pas vendimit që e kishte marrë Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). E gjithë kjo u tha se do të ketë ndikim për stabilitet financiar në kompani.

Ndërkohë, nga menaxhmenti i Telekomit kanë njoftuar se miliona euro janë kursyer, me ndërprerjen e disa kontratave që ishin nënshkruar për marketing.

Në një intervistë për Gazetën Expresskrye shefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi ka folur për sfidat që ka kaluar kompania publike gjatë këtij viti.

Istrefi thotë se viti 2019 ka qenë sfidues në të gjitha sferat për arsye të problemeve që janë mbledhur për gati dy dekada.

“Viti 2019 ka qenë shumë sfidues në të gjitha sferat brenda Telekomit për shkak të problemeve që janë mbledhur gati për dy dekada, shumica prej tyre sfidave kanë pasur epilog pozitiv.  Normalisht që çështje kryesore e vitit ka qenë padyshim rikthimi i numrave të operatorit virtual Z-Mobile proces ky i mbyllur me shumë sukses. I njëjti proces  është përcaktuar edhe nga autoriteti përgjegjës që të mbyllet me 28 të muajit të kaluar dhe ashtu ka ndodhur. Asnjë konsumator i këtij operatori virtual në asnjë moment nuk ka mbetur pa shërbime dhe të gjithë kanë marr minuta dhe GB internet falas në shenjë mirëseardhje. Impakti financiar i rikthimit të numrave është i dukshëm dhe në planin afatgjatë i njëjti do të ketë edhe më shumë ndikim në aspektin financiar”, ka deklaruar ai.

Kryeshefi i Telekomit thotë se negocimi i kontratës me operatorin NOKIA për mirëmbajtje të rrjetit, e kalimi në kodin e ri është si rezultat i angazhimit intensiv për stabilizim të operimeve.

“Një sukses i jashtëzakonshëm është negocimi i kontratës me operatorin NOKIA për mirëmbajtje të rrjetit dhe kalim në kodin e ri. Krahas kësaj si rezultat i angazhimit intenziv për stabilizim te operimeve dhe realizim te tranzicionit ne kodin shtetëror, është arrit marrëveshja me Monaco Telecom që të përkrahet ky tranzicion . Ky akord, gjithashtu, do të rezultojë me kosto të ulura deri ne -60% deri në implementim të plotë të kodit shtetëror me që rast do të lirohemi nga te gjitha obligimet kontraktuale”, thotë ai.

Istrefi shpjegon se për herë të parë pas 20 viteve, Telekomi ka arritur që të formojë ekipe për montimin, demontimin dhe zhvendosjen e antenave. Kjo ka bërë që të kursehen qindra mijëra euro.

“Në anën tjetër për herë të parë në njëzet vjet të funksionimit të Telekomit të Kosovës, kompania ka arritur që me stafin e vet, të formojë ekipe për montimin, demontimin dhe zhvendosjen e antenave BTS, sipas nevojës dhe planifikimeve nëpër tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në muajt e fundit, numri i antenave të zhvendosura për qëllim të mbulueshmërisë, pas ndërprerjes së kontratave për qiradhënie, arrin në dhjetëra.

Me ndërprerjen e kontratave për këto antena (BTS) dhe zhvendosjes së tyre në lokacione më të përshtatshme, Telekomi i Kosovës ka kursyer nga puna e stafit më shumë se 200.000 €, ndërsa kursimet mujore për antena, janë shumë të mëdha”, thotë ai.

Gjatë vitit 2019-të Telekomi i Kosovës ka arritur që si kontraktues t’i ketë të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, që kanë besim në shërbimet e ofruara.

“Telekomi i Kosovës gjatë vitit 2019 ka arritur me sukses që si kontraktues t’i ketë  të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare dhe këto institucione të kenë besim maksimal në produktet dhe shërbimet tona. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjitha konsumatorëve që në vazhdimësi kanë besuar në punë dhe angazhimin tonë përkundër shumë telasheve që kemi pasur.

Në vazhdimësi jemi angazhuar dhe angazhohemi që të dalim me produkte e shërbime konkurruese në treg dhe momentalisht kemi ofertat më të mira krahas operatorit tjetër”, shprehet Istrefi.

Të reja gjatë këtij viti ka pasur edhe në ofrim të shërbimeve të IPTV-së, ku janë bërë investime të mëdha në rrjetin e fijeve optike, që momentalisht e renditin në rrjetet më moderne në rajon.

“Telekomi i Kosovës, si ofrues i deritanishëm i shërbimeve të IPTV-së, ka bërë investime të mëdha në rrjetin e fijeve optike, duke u renditur ndër rrjetet më moderne në rajon. Falë këtij investimi, Telekomi i Kosovës, përveç ofrimit të shërbimeve të internetit dhe IPTV-së, nga 12 prilli ofron edhe shërbimin OTT (Over the Top) në rrjetin e telefonisë mobile dhe në atë fikse, duke u fuqizuar edhe më tej si kompani lider në fushën e komunikimeve. Shërbimi VALA TV do të ofrojë një qasje të lehtë dhe të personalizuar të konsumatorit përmes një aplikacioni të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, i cili tashmë mund të gjendet në “App Store” dhe “Play Store”. Nëpërmjet këtij aplikacioni, konsumatorët do të kenë mundësi jo vetëm të përjetojnë eksperiencën dhe cilësinë e shkëlqyer të shërbimeve televizive, por në të njëjtën kohë mund të përdorin të gjitha elementet interaktive të të shikuarit në TV, në çdo moment dhe në çdo vend.

Në platformën VALA TV bëjnë pjesë kanalet televizive më të shikuara të vendit, por edhe ato Pay TV,  duke bërë të mundur që konsumatori të ketë zgjedhje të shumta për këtë shërbim. Kjo e bën VALA TV operatorin më të rëndësishëm dhe më të kërkuar në Kosovë, për sa i përket llojllojshmërisë së shërbimeve të telekomunikimit”, bëhët e ditur.

Ndërkaq, sa i përket kontratës së re kolektive, që përcaktonë marrrëdhëniet mes Telekomit e punëtorëve, kjo sipas Istrefit e dëshmon se kompania i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënies me punëtorët.

“Kjo kontratë kolektive është përpiluar në përputhje me kontratën nacionale dhe përcakton në mënyrë të qartë marrëdhëniet mes Telekomit të Kosovës dhe punonjësve, ngritë ndjenjën e sigurisë, respektit dhe përgjegjësisë në punë, si dhe përcakton zgjidhjen e drejtë dhe të paanshme të mosmarrëveshjeve të mundshme në të ardhmen.  Nënshkrimi i kësaj kontrate gjithashtu krijon kanal të ri komunikimi, mundëson pjesëmarrjen e punonjësve në vendimmarrje dhe njëherësh dëshmon se Telekomi i Kosovës, përveç zhvillimit të aktiviteteve të zakonshme biznesore, gjithashtu i kushton rëndësi të veçantë raportit me punonjësit e vet”, ka bërë të ditur ai.

Në fund, nga kompania publike kanë falënderuar konsumatorët që i qëndrojnë besnikë shërbimeve të dhëna.

“Telekomi i Kosovës falënderon të gjithë konsumatorët që besojnë në VALA dhe i fton që të qëndrojnë besnik ndaj shërbimeve tona, ndërsa kolegët tonë dua t’i inkurajoj që të vazhdojnë me përkushtimin e tyre në kryerjen e punëve dhe detyrave të përditshme për zhvillimin e kompanisë sonë”, ka thënë Istrefi.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

 

Shpërndaje në: