Rishkrimi i historisë
Rishkrimi i historisë si proces historik dhe politik është i pranishëm kryesisht dhe në mënyrë të theksuar në vendet post-konfliktuoze, aty ku debati publik dhe politik, përgjegjësia legale dhe morale, si dhe gjasat për delegjetimim procesesh konfliktuoze, janë ende në lojë. E tillë është edhe përpjekja e Serbisë dhe aleatëve të saj. Ata fillimisht mbajnë në debat publik në rrafshe vendore dhe tryeza ndërkombëtare këtë temë dhe njëkohësisht refuzojnë në mënyrë sistematike dhe me kokëfortësi të pranojnë përgjegjësinë për atë se çfarë kanë bërë. Lufta e gjatë e tyre në këtë pikë ka një arsye të madhe.
Betejat historike si ajo e 1999-s janë beteja të medha dhe të rëndësishme sepse ato përbëjnë edhe momentume politike të cilat rëndom gjenerojnë nën- procese të reja sociale e politike, delegjetimimi i të parave neutralizon më pas suksesin e proceseve tjera, ose anasjelltas. Shprehur në një analogji të thjeshtë: Nëse lisi pritet në rrënjë edhe degët e tij do të bien. Fitorja na takonte neve, plotësisht. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar.
Përpjekja e Serbisë për rishkrimin e historisë në Kosovë nuk është përpjekje shkencore por puro politike. Ajo fillon me kontestimin e protestave dhe kërkesave politike për autotonmi, të cilat i ka quajtur dhe i quan si procese separatistësh, dhe vazhdon tutje, duke e quajtur UCK-në si organizatë terroriste. Rishkrimi i historisë nuk është proces i zhbërjes së plotë të fakteve por i neutralizimit të tyre, para se gjithash, përmes përgjithësimit. Serbia nuk thotë që lufta nuk ka ndodhur dhe se ajo nuk ka ndërhyrë ushtarakisht, por se ishin separatistët shqiptarë ata që provokuan luftën dhe se, së fundmi, ajo thotë se edhe shqiptarët vranë serbë.
Realiteti, realiteti historik dhe politik, e në veçanti edhe ai shkencor, duket i hekurt. Serbia gjatë luftës më 1999 ka vrarë mbi 12 mijë civilë, ka dhunuar rreth 20 mijë gra, ka shkatërruar rreth 70% të infrastrukturës në Kosovë si dhe ka vjedhur pasurinë financiare dhe kulturore të vendit tonë, duke mos përmendur këtu dhunën sistematike dhe strukturore ndër dekada, dhunë kjo që përbënte shkelje flagrante të Lirive dhe të Drejtvave Themelore të mbrojtura me konventa ndërkombërare. Këto janë fakte të verifikuara nga institucione kredibile civile, ushtarake, mediale dhe politike ndërkombëtare.
Ekzistojnë së paku dy arsye përse Serbia angazhohet për rishkrimin e historisë. Së pari, ndërhyrja në Kosovë nuk ka qenë thjeshtë ushtarake, por e paraprirë nga një ‘inxhinering shoqëror’ nga plane për të ashtuquajturën ‘ zgjidhje përfundimtare’ për Kosovën, plane këto të hartuara nga akademia serbe. Pra, aktiviteti kriminal i tyre nuk është vetëm projekt i një partie fashiste në pushtet, por, më thellë, projekt akademik elitar. Kjo komplikon bartjen e përgjegjësisë sepse përfshirja është shumë më e gjerë se e vetëm një lideri, se e vetëm një partie, dhe një pranim potencial i përgjegjësisë do të ishte kolektive dhe popullore. Serbia thotë: Pranimi i historisë nuk mund të jetë thjeshtë partiak apo individual, prandaj le të rishkruhet historia. Aryseja e dytë lidhet me përpjekjet për delegjitimimin e lirisë dhe përmes saj pavarësisë së Kosovës, dhe kështu le të pamundësohet arritja e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar të vendit tonë. Në kuadër të uljes së kokës përballë fakteve dhe rishkrimit të historisë Serbia është munduar të ‘deshtetëzojë ndërhyrjen’, duke hedhur përgjegjësinë ligjore vetem tek formacionet paramilitare, dhe duke bërë lloj lloj manovrimesh në hierarkinë e ushtrisë së saj.
Sot jemi këtu ku jemi. Në njërën anë kemi Republikën e Kosovës e cila është në anën e drejtë të historisë dhe kemi Serbinë që nuk përballet dot me të kaluarën por insiston në neutralizim faktesh. Në mes të betejës për historinë, tashmë kemi Gjykatën Speciale të kërkuar dhe themeluar nga aleatët tanë perendimor. Gjykata Speciale është një instrument më shumë politik se juridik e cila është në linjë me pretendimet serbe për atë se cfarë ka ndodhur në vend. Gjykata Speciale është produkt i propagandës intensive serbe si dhe i disa lëshimeve tona nga brenda.
Për vite të tëra në Kosovë jo vetëm që nuk u promovuan vlerat e luftës; ndihma, solidariteti, sakrifica, e ushtarëve dhe qytetarëve në rrethana të jashtëzakonshme lufte, por, në vend u kultivua qëllimshëm dhe me vetëdije një frymë stigmatizuese për gjithcka përfaqësonte Ushtria Clirimtare e Kosovës. Përpjekja për rishkrimin e historisë nuk ka qenë thjeshtë e jashtme, por edhe e brendshme, e atyre që kërkonin të bëheshin heronjë të rinj të betejës së vjetër, e atyre që nuk qenë të kënaqur me pozitën e vet në rrjedhën e historisë. Kjo pra, reduktimi i luftës thjeshtë në ngjarje historike dhe në statistika numrash- duke e zhveshur nga vlerat e saj, si dhe instumentalizimi i saj nga grupet politike, janë dy nga lëshimet tonë më të mëdha të karakterit politik që ndihmuan përpjekjet serbe për rishkrimin e historisë.
Rruga përpara nuk është rrugë aspak e lehtë. Kosova duhet që me çdo ngulm luftën historike për mbrojtjen e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës të mos e shëndrrojë në kartë fushatash zgjedhore por ta mbrojë atë fuqishëm, në shkencë, në art, në politik, dhe gjithkund tjetër. Lufta e UÇK-së përbën kthesën dramatike që kemi bërë së bashku, politikisht drejt demokracisë liberale, ideologjikisht drejt perendimit. Ne duhet të themelojmë sa më parë dhe sa më profesionalisht institutin dhe muzeun e UÇK-se, dhe po ashtu, përmes artit dhe kinematografisë , ta promovojmë ndërkombtarisht të drejtën tonë historike. Kështu, ne kontribuojmë ne deshtimin e përpjekjeve të Serbisë për rishkrimin e historisë, për ta ndryshuar pozicionin e viktimës dhe xhelatit, përderisa ky pozicion ishte ashtu siç duhet të mbetet, i qartë si loti.