Rizvanolli thotë se është gjendje e jashtëzakonshme: Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë

Rizvanolli thotë se është gjendje e jashtëzakonshme: Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë

Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë, Artane Rizvanolli ka thënë sot se rritja e çmimit të gazit në tregjet globale, ka bërë që Kosova, rajoni dhe bota të preken nga kriza energjetike.

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli foli fillimisht për krizën energjetike që i ka përfshirë vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën.

“Një ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen vendet dhe jo vetëm të rajonit por edhe të botës është kriza energjetike e cila vjen në radhë të parë si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet globale. Kjo krizë prej disa muajsh e ka prekur rajonin. Vendet në rajon të gjitha pa përjashtim janë të prekura dhe shumë më shumë se ne Shqipëria për shembull ka disa muaj që është prekur për shkak se kanë importuar më shumë energji dhe deri më tani i kanë ndarë 180 milionë euro në formë të garancisë bankare për likuiditetin e sektorit të energjisë”, ka thënë ajo.

Ministrja Rizvaniolli tha se çmimi i importit të energjisë në Kosovë është shumë i lartë dhe se gjendja është e jashtëzakonshme.

“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Ajo tha se janë me shpresën që të ketë reshje të shumta atmosferike në Shqipëri dhe të këmbejnë energjinë elektrike me ta pa pasur nevojë që ta blejnë atë me çmim të lartë në treg.

“Mbesim me shpresën se me rritjen e reshjeve atmosferike në Shqipëri do të jemi në gjendje të këmbejmë energji elektrike pa pasur nevojë që të blejmë në treg me çmime të larta që do të ndikojë pozitivisht”, ka thënë Rizvanolli para deputeteve.

Kosova së fundmi është prekur nga kriza energjetike. Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje ministrave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’u siguruar rryma për qytetarët.

Shpërndaje në: