Rizvanolli: Veç në nëntor e dhjetor, Kosova bleu rrymën që kishte planifikuar ta blinte për krejt vitin

Rizvanolli: Veç në nëntor e dhjetor, Kosova bleu rrymën që kishte planifikuar ta blinte për krejt vitin

Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova ka tejkaluar çmimin e importit të energjisë elektrike për vetëm dy muaj. Ajo tha se 12 milionë euro janë paraparë që të shpenzohen gjatë tërë vitit për importin e energjisë elektrike.

Ajo tha se vetëm për periudhën nëntor-dhjetor, për importin e rrymës janë harxhuar mbi 12 milionë euro.

“ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milion për import”, ka thënë ajo, gjatë raportimit në Komisionin Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Më tutje, Rizvanolli deklaroi se çmimet e importit të energjisë elektrike për kilovat janë deri pesëfish më të larta se a çmimet që operojnë aktualisht në treg.

“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 cent për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht katër,  pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë. Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta për shërbime të balancimit të sistemit”, ka thënë më tutje ajo.

Kosova së fundmi është prekur nga kriza energjetike. Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje ministrave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’u siguruar rryma për qytetarët.

 

Shpërndaje në: