Robelli thotë se propaganda ruse vjen në Kosovë përmes portaleve
Gazetari Enver Robelli, në një kolumnë të botuar në portalin Koha, ka folur për dukurinë e ‘lajmeve të rreme’ të cilat i ka nënkuptuar përmes titullit si “murtaja e shekullit 21”, shkruan Periskopi.
Ai ka përmendur një rast në veçanti, kur një medium sërb kishe raportuar se kryeministri spanjoll Mariano Rajoy gjoja e kishte quajtur presidentin e Kosovës “kriminel” pa e verifikuar lajmin. Dhe se këtë lajm, e kishin botuar – sipas Robellit – shumë portale edhe në Kosovë.
Robelli iu atribuon portaleve cilësorin “distributore thashethemesh”, të cilat punojnë pa kritere dhe marrin lajme madje edhe nga mediat joserioze e ultranacionaliste sërbe.
“Përkthimi dhe shpërndarja e lajmeve sensacionale të mediave serbe i bën mediat shqiptare të duken si distributore thashethemesh. Me këtë qasje jo vetëm që fyhet lexuesi, por edhe dëmtohet rëndë besueshmëria e mediave.” – ka shkruar ai.
Në paragrafin e fundit të shkrimit të tij, ai thekson që shtetet e fuqishme si ShBA-të, Britania e Madhe dhe Gjermania janë në rrezik nga propaganda ruse, e nga kjo “mund të merret me mend se çfarë rreziku i kanoset viseve shqiptare nga portalet që shpërndajnë falas thashetheme të Beograit dhe Moskës”.
Lexo shkrimin e plotë në linkun që vijon: http://www.koha.net/veshtrime/82425/murtaja-e-re-e-shekullit-21/



