Robëria ka emër: Konformistët

Robëria ka emër: Konformistët

Për një kohë relativisht të gjatë kam qenë mbështetës i madh i Albin Kurtit. Për mua, ai ishte një i majtë progresiv, që megjithëse i bënte disa kompromise të vogla e të domosdoshme në qëndrime,  mbetej palëkundshëm si një i majtë progresiv. Ai ishte një politikan që do të mbetej në anën e të shtypurve, në anën e viktimave, në anën e të varfërve, dhe njëkohshëm në anën e përparimit – edhe nëse rrjedha e historisë do të ishte kundër tyre. Kurti ishte politikani më frymëzues në Ballkan për sytë e mi. Por, prej çkaje më vinte ky frymëzim? Jo prej qëndrimeve të tij të shprehura publikisht e që merrnin bujë – sepse nuk pajtohesha me to – por prej nënkuptimeve që nxjerrnin përvjedhurazi disa prej këtyre qëndrimeve dhe prej disa të tjerave që dështonin pambarimisht të merrnin vëmendje.

“Prokurorët dhe gjykatësit tanë duhet t’i përbrendësojnë “të drejtat e njeriut”” – thoshte Kurti në vitin 2017 publikisht duke i dhënë zë një problemi tepër shqetësues e krejt të patematizuar me të cilin përballet sistemi ynë i drejtësisë e nga i cili vuajnë shumë e shumë njerëz. Por, deklarata të tilla u shpërfillën nga populli, e më vonë edhe nga vetë Kurti.

Vetëm në dy raste, sa ishte në pushtet, ai e përmendi dhe e denoncoi korrupsionin e shoqërisë. Dhe vetëm në një rast ai i doli kundër vlerave shoqërore.

Më shumë se sa të avokonte për çështjet në të cilat unë besoja që ai besonte, ai u ngut të ishte gjithnjë në anën e drejtë të historisë. E të jesh gjithnjë në anën e drejtë të historisë të bën të dyshimtë. Sidomos kur gjykatësi i asaj që është e drejtë dhe e padrejtë është një shoqëri shtypëse dhe vulgare si kjo e jona. Shpesh, një politikan parimor mbron pikërisht ata që nga shoqëria shihen si të padrejtë, kriminelë, të pamoralshëm, ‘të gërditshëm’ bile. Dhe gjithnjë ky politikan parimor lufton kundër shtypjeve të promovuara nga ky moral shoqëror.

Para dy ditësh, Albin Kurti i doli në mbrojtje liderëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë për “krime kundër njerëzimit” e për “krime lufte”. Ky deklarim e pasoi një heshtje të bukur dyjavëshe. Menjëherë të nesërmen e anëtarësoi në parti një njeri që kishte shqiptuar “dënime me vdekje” në luftë. Paraprakisht ai kishte toleruar gjithë atë dhunë verbale të njerëzve të tij drejtuar gjithkujt që nuk pajtohej me ta. Kishte toleruar bile edhe gjuhën homofobe nga aktivistë e deputetë të tij. Dhe, tash që mu kujtua, e anëtarësoi në parti edhe një homofob të një partie islamiste.

Secili prej këtyre njerëzve e këtyre qëndrimeve të Kurtit të ditëve dhe javëve të fundit përfaqëson ligjërimet dominante në Kosovë. Ligjërime dominante që shtypin edhe më zi ligjërimet e ndrydhura që s’ka kush t’i përfaqësojë.

Të majtit progresiv kosovar, Albin Kurtit, gjithçka që thotë e bën aktualisht po i përkon me të kundërtën radikale të asaj në të cilën thirret, me djathtizmin ekstrem. Në një anë qëndrime të forta nacionaliste që komprometojnë edhe përjekjet minimale për drejtësi e që heshtin zërin e viktimave, e në tjetrën qëndrime edhe më të forta konservatore që vazhdojnë të promovojnë shtypje e diskriminim ndaj grupeve pakicë. Në një anë edhe më tjetër, në ekonomi, përdori qasjen e shpenzimeve të reduktuara, e mungesës totale të projekteve kapitale, e të lëmoshave bile edhe në kohë krize.

Kurti është lideri më i pushtetshëm në Kosovë. Ai rreth të cilit sillen të gjitha zhvillimet politike të vendit. Fjala e tij ka peshë më të madhe se fjala e kujtdo tjetër, bile edhe se fjala e ambasadorëve amerikanë. E megjithatë, ai mbetet i rreshtuar në anën ‘e drejtë’ të historisë. E megjithatë, i mbetet i kurthuar si një konformist brenda vulgaritetit të shëmtuar të popullit.

Nëse ky konformizëm prej tij vazhdon, atëherë çfarë rëndësie do të ketë emri i kryeministrit të ri? Ai tashmë është i asimiluar politikisht në ligjërimet dominante. Ai do të vazhdojë tolerimin e mëtejmë të fëlliqjes së sferës publike. Ai do të vazhdojë tolerimin e mëtejmë të kulturës së korrupsionit në institucione e shoqëri. Dhe për më keq, duke qenë një orator më i zoti, veç sa do ta bëj më të pranueshëm sistemin ekzistues shtypës.

Shpërndaje në: