Roli i qyqes dhe roli i skifterit në veriun e Kosovës

Roli i qyqes dhe roli i skifterit në veriun e Kosovës

Shkruan: Avni Klinaku

Kushdo që sadopak i përcjell zhvillimet politike rreth veriut të Kosovës nuk e ka të vështirë ta kuptojë se katër partitë kryesore politike të Kosovës (LV, PDK, LDK e AAK) kanë një orientim të njëjtë sa i përket zgjidhjes së çështjes së veriut dhe të Kosovës Lindore. Dhe ky orientim është: ruajtje e integritetit territorial dhe shtrirje e sovranitetit edhe në veri të vendit. Sa i përket Kosovës Lindore këto parti politike duan heshtjen e këtij problemi.

Ndryshimi i vetëm i këtyre partive në lidhje me këtë çështje është te mënyra dhe mjetet që duhet përdorur për shtrirjen e sovranitetit në veri. Derisa PDK, LDK e AAK kërkojnë që me çdo kusht të dëgjohen ndërkombëtarët (veçanërisht SHBA-të), LV-ja këtë nuk e quan të domosdoshme. PDK, LDK e AAK gjithmonë e kanë ndjekur këtë kurs. Për shkak të këtij orientimi dhe të këtij kursi, Kosova është dashur të bëjë shumë kompromise. Gjatë këtyre viteve këtë kurs e ka shfrytëzuar dhe e ka keqpërdorur Serbia; ajo e ka ndërruar edhe hartën etnike si në veri (në pjesën veriore të Mitrovicës), ashtu edhe në lindje (në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, posaçërisht në Medvegjë e Bujanoc). Pra, dëmet e një politike të qyqes në veri të Kosovës dhe në Kosovën Lindore janë të mëdha, janë të dukshme, e madje (në disa pjesë) edhe të pariparueshme.

Para dy vjetësh LV e ka fituar bindshëm pushtetin në Kosovë. Duke i mposhtur partitë që kanë qeverisur deri në atë kohë, logjikisht është pritur se ky do të jetë një triumf edhe mbi konceptet e tyre politike. Por kjo nuk ka ndodhur në lidhje me orientimin politik ndaj veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore. LV deri më tani ka ndjekur orientim të njëjtë: ruajtje e integritetit territorial dhe shtrirje e sovranitetit në veri, si dhe heshtje e problemit të Kosovës Lindore. Ajo çka ka ndryshuar LV në raport me këto çështje është vetëm mënyra dhe mjetet për zgjidhjen e problemit të veriut: rolin e qyqes në veri LV është përpjekur dhe po përpiqet ta zëvendësojë me rolin e skifterit. Pra, në vend të bindjes së pakushtëzuar ndaj ndërkombëtarëve, siç kanë vepruar partitë e mëhershme, LV ka instaluar pikëpamjen që për arritjen e të njëjtit qëllim nuk është e nevojshme t’i dëgjojmë ndërkombëtarët, sepse, në fund të fundit, kjo edhe nuk ka dhënë rezultate në të kaluarën.

Derisa për t’i parë rezultatet (dëmet) e orientimit të gabuar e me rolin e qyqes në veprim, është dashur një dekadë, rezultatet (dëmet) e orientimit të gabuar me rolin e skifterit në veprim do t’i shohim brenda muajsh.

Nëse nuk duam të shohim as dëme të ngadalshme, as dëme të shpejta, ne duhet ta ndërrojmë orientimin, e jo mënyrën e veprimit.

Kosova duhet me çdo kusht ta sjellë në tryezën e bisedimeve çështjen e Kosovës Lindore, e jo ta heshtë padrejtësisht këtë çështje kaq vitale të kombit shqiptar.

Kosova, në vend se të insistojë në ruajten e integritetit territorial, duhet të këmbëngulë në reciprocitet në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve.

Vetëm kështu i shërbehet pa asnjë interes partiak e personal Kosovës dhe krejt kombit shqiptar!

Shpërndaje në: