Romario: Para ndeshjeve bëja seks, isha Jordani i futbollit – në politikë u futa për bijën me sindromë

Periskopi.com Sporti

Romario, ish-futbollisti i Barcelonës dhe Valencias, tashmë politikan brazilian, ka kujtuar momentet më të paharrueshme të karrierës së tij për “The Players Tribune” duke shpjeguar edhe arsyen pse i hyri politikës.

Vajza e tij. “Ajo ka lindur me sindromën Down, më bëri të kuptoj se ata kishin nevojë për ndihmë dhe kishin pak përfaqësues në politikë. Tani unë jam i njohur për mbrojtjen e tyre. Ata kanë të njëjtën të drejtë si ne për të qenë pjesë e shoqërisë”.

Figura e Romarios ka qenë gjithmonë e lidhur me konceptin e gjeniut dhe parregullsisë. E vetë ish-sulmuesi ka theksuar se sa e vështirë është të heqësh qafe ‘etiketën’ e vendosur. “Në fakt, unë kurrë nuk kam anashkaluar një seancë stërvitore. E di që të gjithë ishin të bindur që Romarios i pëlqente të festonte dhe të shkonte me femrat.

Në fakt, më ka ndodhur të bëja seks edhe para ndeshjeve, por me gruan time. E nuk më jepte ndonjë problem, përkundrazi, në fushë isha shumë i relaksuar dhe i lehtë. Sidoqofte kur shënoja tre ose katër gola në lojë, bëhesha serioz, i pashëm dhe i besueshëm. Nuk mendoj se isha futbollisti më i mirë i kohës sime, por isha ndoshta goditësi më i mirë. Ishte pak si në basketboll. Kur duhet të bëje një kosh, ia pasoje topin Jordanit.”

Romario u largua shumë herët nga Brazili, por ai është një idhull absolut, ashtu si në Barcelonë, e cila e mirëpriti dhe e vlerësoi pas eksperiencës në Holandë. “Kur shkova te PSV, isha 22 vjeç dhe nuk kisha jetuar kurrë jashtë Rios. Nga plazhi, befas, isha në një vend të errët dhe të ftohtë. Një herë temperatura kishte rënë në minus 17 gradë. Kam qëndruar tre ditë pa dalë nga shtëpia, kisha kaluar në letargji. Kur u transferova në Barcelonë doja numrin 11, ishte numri im i preferuar, por Cruijff, trajneri më i madh që kam patur, më dha 10-ën duke shpjeguar se në ekipin e tij më të mirët luajnë gjithmonë me atë numër”.

Ndër historitë e ndryshme me futboll, Romario ka një të veçantë për të treguar: u shpall kampion Bote, por rrezikoi të mos ishte. “Nuk do të isha thirrur kurrë nëse Brazili nuk do të kishte vuajtur për t’u kualifikuar. Unë kisha debatuar me stafin teknik që luante kualifikimin për Kupën e Botës me Uruguain. Nëse Brazili nuk do të ishte kualifikuar, ata praktikisht do të duhej të largoheshin nga shteti. Kështu iu desh të më thërrisnin. Atë ditë luajta ndeshjen time më të mirë me kombëtaren”.