Rrahman Jasharaj paralajmëron ditë të zeza: Jemi në hall të madh, “e kuptoj pak Albinin”

Rrahman Jasharaj paralajmëron ditë të zeza: Jemi në hall të madh, “e kuptoj pak Albinin”

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës [SBAShK], Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar sërish greva e protesta edhe pse ka thënë që “e kupton pak Albin Kurtin” që nuk po mund të takohet me ta, por jo edhe Hekuran Muratin. 

Ai këtë e bëri të ditur në tryezën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për pagat në sektorin publik, duke thënë se janë në hall të madh.

“Nëse nuk ka përgjigje nga Qeveria, deshëm apo nuk deshëm, do të gjendemi në greva e në protesta, sepse qeveria i ka mbyllur dyert e dialogut”.

“SBASHK-u duke u gjendur në situatë të pakëndshme, me kalimin e ditëve ka paralajmëruar edhe veprime sindikale dhe për t’iu ikur këtyre i kemi dërguar letra zyrtare edhe shefave të grupeve parlamentare, subjekteve politike që janë brenda parlamentit, me qëllimin e vetëm që të ulemi e të bisedojmë se jemi në hall të madh dhe kam frikë se pa dashjen tonë arsimi do të kthehet në një situatë të pakëndshme të cilën nuk e duam”, u shpreh Jasharaj.

Ai tha se Qeveria Kurti asnjëherë nuk i ka hapur dyert e dialogut.

“Qeveria Kurti po e them haptazi, ka muaj që ka ardhur por asnjëherë nuk i ka hapur dyert e dialogut. Mbase SBASHK-u mund ta kuptojë pak kryeministrin Kurti, se mbase ka detyra tjera, por s’mund ta kuptojë ministrin Murati i cili ka harruar fare se përveç që është Ministër i Financave dhe Transfereve është edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe detyrë e tij është t’i takojë sindikatat, sepse kemi shumë halle”, shtoi tutje Jasharaj.

Shpërndaje në: