Rrahmani: Janë dy-tre deputetë servilë të LVV-së që na duan jashtë partisë disa prej nesh

Rrahmani: Janë dy-tre deputetë servilë të LVV-së që na duan jashtë partisë disa prej nesh

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, ka thënë se votimi i tij kundër projekt kodit civil që lejonte edhe martesat brenda gjinisë së njëjtë ka lënë pasoja në raport me kolegët deputetë brenda partisë.

“Me disa deputetë që nga dita e votimit në Kuvend për projekt-kodin civil kanë ndryshuar raportet. Me ata kam tjera raporte nga që kam pasur”, tha ai në RTV Dukagjini.

Rrahmani ka thënë se nuk kundërshton në tërësi kodin civil, por me dy nene.

“Vazhdoj të kem të njëjtat qëndrime absolutisht. Ai kod me ato nene të njëjta nëse vjen në Kuvend do të ketë votën time të njëjtë”.

Deputeti i shumicës ka thënë në se procesin e zgjedhjeve brenda partisë feja nuk ka ndikuar.

Ai ka thënë se kryetari i zgjedhur i Qendrës së Obiliqit apo kryetarja e Forumit të Gruas në Gjilan pavarësisht se kanë votuar kundër Kodit Civil, janë emëruar në pozita.

Rrahmani ka thënë se nuk janë të vërteta raportimet se një grup deputetësh konservator do të largohen nga LVV.

“Disa deputetë brenda Lëvizjes janë duke i fryrë kësaj linjës [se po largohen nga LVV disa deputetë]. Janë dy-tre deputetë “servil” që mundohen me përfitua prej çdo situate dhe shkojnë te secili deputetë dhe ju thonë se kinse disa deputetë do të largohen nga LVV. Janë këta deputetë që rrinë gjithë ditën në korridore të Kuvendit dhe Qeverisë dhe ata më së shumti pengojnë punën e Kuvendit dhe Qeverisë”.

“Qëllimi kryesorë i tyre është largimi ynë nga LVV pasi e kanë të pamundur ngritjen në parti kur një pjesë e konsiderueshme e jona janë aty. Natyrisht ata nuk mund të veprojnë siç dëshirojnë. Sigurisht se është një metodë shumë e ulët”, shtoi tutje Rrahmani.

Ai ka thënë se personalisht nuk e ka në plan të largohet nga LVV e as të ndikojë te të tjerët.

“Do të japë kontributin tim në Kuvendin e Kosovës, aty ku jam deleguar nga qytetarët”, deklaroi Rrahmani.

Shpërndaje në: