Rrahman Jasharaj dhe SBAShK-u kërcënojnë me greva dhe protesta Qeverinë

Periskopi.com Lajme

Rrahman Jasharaj i SBAShK-ut ka kërcënuar Qeverinë me protesta dhe greva pas harresës së Ligjit për Paga.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u ka thënë se ka kaluar një vit që nga vendimi i Kushtetueses dhe institucionet përgjegjëse dhe Qeveria me apo pa qëllim e kanë harruar Ligjin e Pagave.

Lidhur me këtë, SBASHK-u paralajmëroi se do të kthehen protestat dhe grevat, të cilat SBASHK-u e as sindikatat tjera nuk i dëshirojnë, por do të veprojnë në bazë të kërkesave të anëtarësisë sepse ky është obligim i tyre.

Komunikata e plotë :

Harresa e Qeverisë ndaj ligjit të pagave do t’i kthej protestat dhe grevat

Përpilimi dhe përgatitja e Ligjit të pagave ishte shoqëruar me debate të nxehta mes institucioneve dhe disa prej sindikatave dhe nuk munguan as protestat e grevat. Ligji u formësua pas shumë takimeve e angazhimeve dhe kaloi edhe nëpër Komisione parlamentare dhe në vet Parlamentin e Kosovës. Pjesa më e madhe e të punësuarve në shërbimet publike filluan të frymojnë më lirshëm dhe pritnin të shohin implementimin e këtij ligji dhe efektet e tij.

Mirëpo Avokati i popullit e dërgoi në Kushtetuese dhe organi më i lartë i drejtësisë pas dy pezullimeve kishte vendosur që ta shfuqizojë në tërësi këtë ligj, pra që ta kthej te institucionet me rekomandimet që ata të përmirësojnë gabimet e bëra dhe ta procedojnë tutje. Kushtetuesja nuk kishte thënë se ky ligj nuk duhej bërë kurrë dhe prandaj pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin publik, pra në arsim, shëndetësi, polici, zjarrfikësit, administrata dhe të tjerë shprehur zhgënjimin ndaj kësaj që ndodhi, por i mbante shpresa se Qeveria do të formojë komisionin gjegjës në bashkëpunim me sindikatat dhe do të nisin përmirësimet e kërkuara nga Kushtetuesja.

Mirëpo ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i Kushtetueses dhe bazuar në realitetin shihet se Qeveria dhe gjithë institucionet gjegjëse, me apo pa qëllim, e kanë harruar fare Ligjin e pagave dhe ky veprim i tyre dhe mungesa e gatishmërisë për dialog me sindikatat krijon pakënaqësi, që vazhdon të shtohen, dhe kjo do të bëj që të kthehen protestat dhe grevat, të cilat SBASHK-u e as sindikatat tjera nuk i dëshirojnë, por do të veprojnë në bazë të kërkesave të anëtarësisë sepse ky është obligim i tyre.