Rrëfehet biznesmeni: ‘Si më mori Berisha truallin pranë ambasadës për të përgjuar amerikanët’

Rrëfehet biznesmeni: ‘Si më mori Berisha truallin pranë ambasadës për të përgjuar amerikanët’

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Sotiraq Naçi rrëfen historinë e tij të biznesit në vitin 1995 dhe kalvarin e peripecive që kaloi si një biznesmen i asaj kohe deri në shkatërrimin që i solli shteti në aspektin financiar deri edhe në goditjen dhe terrorin që i shkaktoi familjes së tij. Sipas tij shteti i Berishës në atë kohë i grabiti tokën pranë ambasadës amerikane më qëllimin që ta merrte SHIK-u i asaj kohe për të përgjuar amerikanët.

“Bleva 270 metra katror tokë pranë ambasadës amerikane. Ishte tokë shtet ajo që bleva, pagova paratë, u bë projekti dhe filluan punimet. Pasi filluan punimet, isha në Itali dhe kur u ktheva në Shqipëri pas një jave, vëllai më thotë që ta kanë marrë objektin. Shkoj atje dhe shoh që po punonin të tjerë në objektin tim dhe i them çfarë po bëni në objektin tim, aty del njëri dhe më thotë “ik nga këtu ose do të betonojmë këtu, ti nuk ke punë me ne, ke punë me bashkinë, ne na e ka dhënë bashkia”. Me pak fjalë ishte bërë një grabitje e objektit tim nga bashkia që në atë kohë e drejtonte Sali Kelmendi nën siglën e PD dhe të Berishës. Bashkia kishte marrë vendim që ia kishte dhënë truallin një firme ndërtimi nga Vlora. Takova drejtuesin e firmës së ndërtimit dhe ai më tha që kishte marrë projektin për ndërtimin e apartamenteve për punonjësit e SHIK-ut. Në tokën time po ndërtoheshin apartamente për SHIK-un. Ndërsa katin e parë do ta merrte Tritan Shehu për ta bërë klinikë dhe ashtu u bë fillimisht. Vendi ishte shumë i sigurt se ishte pranë ambasadës, aty kisha projektuar apartamentin e familjes time, por nuk ndodhi, shteti ma mori. Shteti ma bëri këtë gjëmë. SHIK-u mori truallin tim afër ambasadës amerikane. Për çfarë i duheshin SHIK apartamentet pranë ambasadës, për të përgjuar amerikanët? Kohë më vonë mësova që kjo ishte e vërtetë, që kjo ishte arsyeja. Beteja ime vijoi pasi hodha në gjyq bashkinë dhe e fitova gjyqin. Por kjo nuk kishte më rëndësi pasi ata ma kishin marrë truallin, ishte zaptuar”, u shpreh Sotiraq Naçi për “Shqip”

Shpërndaje në: