Ekskluzive: Rrëfehet qytetari që u rrah nga 4 policë: Tregon çka çoi te rrahja, dhe ferri që e priti në Stacion

Ekskluzive: Rrëfehet qytetari që u rrah nga 4 policë: Tregon çka çoi te rrahja, dhe ferri që e priti në Stacion

Ngjarje e rëndë dhe e pahijshme ka ndodhur mbrëmë në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku në videon e siguruar nga Periskopi, një person me inicialet B.S, shihet duke u arrestuar dhunshëm nga Policia e Kosovës për shkak të mosmbajtje të maskës. Dhe B. S (emër i njohur për redaksinë) ka rrëfyer anën e tij për ngjarjen që mund ta shohim në video.

Në një rrëfim ekskluziv për Periskopin ka treguar se sjellja e zyrtarëve policorë ndaj tij nuk ka qenë në nivel të duhur, dhe se, sipas tij, policët kishin sjellje arrogante prej ndalimit.

Ai ka rrëfyer në detaje tërë ngjarjen.

“Jam dalë dje në shesh me gru e me fmijë edhe te lojërat, janë shku fëmija në kerret që janë me lu edhe një polici e pa maskën ngjystë të vendost’ edhe tha vendose maskën krejt edhe po e vendosi edhe i thash më fal po jom tu u marrë me fëmijë. Kur e përfunduam po kthehemi edhe të njetit policë, po me thonë… dokumentin për më të identifiku (e thotë me ton të lartë) thashë o vëlla gjithë kjo bërtimë, unë s’jom tu bo kurgjo se po më tuten fëmija, fëmijët ja nisen me kajtë, ja jepa dokumentit, edhe thanë që duhet me të identifiku në polici, ju thash s’ka problem, u bonen 7 minuta, edhe ju thash “o vëlla juve ju lajmërunë policia se nuk kam fletarrest ose diçka në polici, ja lëshmoni, ja shkruje gjobën”  ata (policia) më thanë “na e dijna, largohu, largohu, mbaje distancën”, nejse u bonen 10 minuta as nuk ma shkrujshin tiketën as nuk më lirojshin”, ka rrëfyer ai.

B.S  tregon se gjatë asaj kohe ka kontaktuar me policinë sepse sipas tij policët që e kishin ndaluar nuk po i tregonin se çfarë të bënte dhe se ndaj tij ishin treguar arrogantë.

“Po e thirri policinë 192, i thash jam B.S, jam kalimtar, jam me gru me fëmijë, qeshtu qeshtu, më thanë vendose mirë maskën, e vendosa, u sillën në mënyrë arrogante, ama letërnjoftimi, ja dhash, largohu mbaje distancën më thanë me zë të lartë, i thash “a ka mundësi me ditë, çka është gjithë ky zë i lartë, gjith ky ton,  a keni mundësi një patroll se me këta policë nuk po mundëm të kuptohem, as nuk po më lirojnë as nuk po dënojnë, a keni mundësi me ma ba çahre, më thanë merre numrin e Inspektoriatit Policior, unë i thirra ata (Inspektoriatin Policor) dhe më thanë që vjen të hënë e jep një deklaratë. Unë ju thash a keni mundësi me ardhë se këta janë tu mi nxjerr fjaltë, jam më gru e me fëmijë janë tu mu tutë. Ata më thanë merri numrat e policëve që t’i identifikojmë. Tu ja marr qatij policit numrat, më tha çka po afrohesh, largohu, edhe i çova durtë edhe thash çka është gjithë kjo injorancë, edhe nuk kom ditë kurgjo, vec kur ma kanë hi boks mas kokës, njani e tjetri, më arrestuan, nuk e dijsha çka u bo, fëmija kajshin, gruja qashtu. Më kanë futë në kerr tu m’goditë me kokë edhe njoni tu m’goditë mu e ka vra koken e vetë”, është shprehur B.S

Ai po ashtu ka thënë për Periskopin se sjellja e policëve nuk ka qenë korrekte as në stacion policior, bile atij nuk i është dhënë as ujë për të pirë dhe se është kërcënuar nga një prej tyre.

“Po m’çojnë në stacion tu m’goditë herë njëri herë tjetri, si zbresim në stacion ja nisin tu m’goditë brinjëve, shqelma e boksa prej prapa, kur kemi hy në stacion kom kërku ndihmë me shpresë që është naj rreshter a komandant. Më kanë shti në një dhomë që është terr edhe nja dy boksa mi kanë dhënë, polici më tha “veç kurrë mos të takojë në rrugë se ki me pa kush jam unë, se e vrava kryet sherri yt”, ka rrëfyer ai.

B.S në bisedë për Periskopin po ashtu ka thënë se policët kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, kur në stacion policior është paraqitur Inspektoriat i PK’së.

“Inspektoriati më thirrke në telefon por nuk mundesha t’ia hapi, por dikur vendosa sepse më i rrahur se sa isha nuk bohesha. Rreshteri ia mbante zhagun policëve, kur erdh Inspektoriati, ata menjëherë i ndërruan fjalët policia e rreshteri, as nuk m’kanë pru ujë as nuk e kanë thirrë doktorin, krejt vonë, kur kanë dëgju që po vijnë Inspektoriati atëherë i kanë sjellë, ujin e doktorin, as nuk më çojshin te spitali.”, ka thënë ai.

Ndryshe, B.S pas mbajtjes për 48 është liruar, ku këtë për Periskopin e ka konfirmuar avokati i tij, Fanol Krasniqi.

“Po tani e ka marrë fletlëshimin. Ai ka qenë i ndaluar për 48 orë. Klienti im akuzohet për kanosje të zyrtarëve policor dhe mosbindje ndaj urdhërave.  Tani jemi duke pritur hetimet nga Inspektorati i Policisë”, ka thënë ai për Periskopin.

Gjithashtu, rastin e ka konfrimuar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi Daut Hoxha e konfirmoi atë që mbrëmë Periskopi raportoi se i dyshuari është ndaluar për shkak të mos mbajtjes së maskës.

Tutje, Hoxha thotë se pasi policia ia ka tërhequr vërejtjen të dyshuarit me inicialet B.S, i njëjti ka pasë sjellje arrogantë ndaj uniformës blu, madje ka ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët policor.

‘’Reth ores 21:30 njësia policore gjatë realizimit të detyrave dhe kompetencave ligjore, konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në personin e dyshuar me inicialet (B. S; 1988)  i cili ka qenë pa maskë. Të njëjtit ju është tërhequr vërejtja disa herë, por nuk ka perfill urdhrat e zyrtareve policor,  kur atij iu është kerkuar dokumemti i identifikimit nga zyrtaret  dhe ka kuptuar se po i shënohet fletëparaqitje  sipas ligjit per parandalimin dhe luftimin e pandemise, ai ka filluar të përdorë shprehje ofenduese dhe kercenuese, duke shfaqur poashtu sjellje arrogante kundrejt zyrtarëve policor, dhe në një moment ai ka ngritur dorën në drejtim të zyrtarve policor ku të njejtit janë detyruar të përdorin forcën e domosdoshme, proporcionale duarthatë për ta venë nën kontroll të dyshuarin.’’, thotë Hoxha për Periskopin.

Zëdhënësi i Policisë, thekson se një zyrtar policor ka marrë lëndime nga rezistenca dhe sjelljet e pakontrolluara të të dyshuarit.

‘’Gjatë arrestimit një zyrtar policor ka marrur lendime nga sjelljet e pakontrolluara dhe rezistente nga i dyshuari. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor Qendra, për procedura të mëtejme lidhur me rastin e pengimin të personit zyrtar ne kryerjen e detyres zyrtare. Lidhur me rastin poashtu janë njoftuar Hetimet Rajonale  të Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit për procedura të mëtejme.I dyshuari dergohet në mbajtje per 48 orë.’’, përfundon Daut Hoxha.

Edhe Inspektoriati Policor ka nisur hetimet për këtë arrestim./Periskopi/

Shpërndaje në: