Rrëfimi i mësueses që përfundoi si mirëmbajtëse, ka edhe një kërkesë për Ministren Nagavci

Rrëfimi i mësueses që përfundoi si mirëmbajtëse, ka edhe një kërkesë për Ministren Nagavci

Profesioni i mësimdhënësit cilësohet si njëri ndër më të vlerësuarit në shoqëri. Por varësisht nga rrethanat, jo të gjithë kanë mundësinë ta ushtrojnë atë. I tillë është rrëfimi i gruas nga Podujeva, së cilës pas 20 vitesh karrierë pune, profesioni i mësueses iu ndërpre në gjysmë. Ajo rrëfen gjerë e gjatë sfidat me të cilat u ballafaqua nga momenti kur e larguan nga puna e u detyrua të ndërronte profesion.

Ishte viti 1998 kur H.D. u punësua në një shkollë fillore në një fshat në periferi të Podujevës. Për 13 vite me radhë ajo punoi me ciklin parashkollor, ndërsa vitet tjera i kaloi si mësuese deri në klasën e pestë.

E arsyeja e largimit të saj nga puna, erdhi si pasojë e numrit të ulët të nxënësve, që gjë pasoi në mbylljen e tërësishme të shkollës. Ajo thotë se një gjë e tillë iu bë e padrejtë.

“Unë në arsim kam punuar 20 vjet. Në atë shkollën që kam punuar edhe unë, edhe një kolege tjetër, në kuadër të asaj shkolle ka qenë edhe një shkollë tjetër në një fshat tjetër, do të thotë me të njëjtin emër, por ajo shkollë është mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve, edhe shkak u bë ajo që na larguan neve prej punës, por nuk ka bënë një zgjidhje tjetër. Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë…do të thotë 20 vjet ke përvojë pune edhe në fund asgjë. Këta po na thyejnë shpirtënisht, ekonomikisht, në të gjitha aspektet na kanë lënë shumë keq, sepse ndoshta edhe familja varet prej neve”, tha ajo për teve1.

Sipas saj, pavarësisht mbylljes së shkollës, asaj dhe koleges që pati fatin e njëjtë, është dashur t’u gjendet një zgjidhje.

H.D. e cila ka të përfunduar Fakultetin Filozofik, departamenti Sociologji, por si lëndë të përfshirë edhe Edukatën Qytetare, nuk iu dha rasti të punësohej më në drejtimin e saj. E njëjta thotë se edhe fillimi i pandemisë COVID-19 ia vështirësoi edhe më shumë mundësinë për t’u kyçur përsëri në arsim.

Ndonëse gjithmonë ishte nisur prej faktit se duhet të mbërrijë diçka në jetë, pas tre vitesh e papunë, 52-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve, tashmë ka filluar të punojë në një profesion tjetër, atë të mirëmbajtëses. Ajo thotë se i ka thënë vetes “më mirë me punu diku pastruese, e e papunë nuk rri”.

“Kështu që unë meta tre vjet pa punë…është shumë keq me mbet pa punë dhe kam vendos me punu diku tjetër. Unë tash veç kam fillu me punu si pastruese, por shpirtënisht nuk ndihesh mirë. Pavarësisht prej asaj që krejt njerëzit që janë përreth sillen mirë me ty, por unë personalisht nuk po mundem me gjet veten. Sepse të punosh 20 vite, në fund mos me ardh deri te zgjidhja e një pune që është adekuate për ty, është shumë problem i madh që të thyen në të gjitha drejtimet”, thotë ajo.

Ankesat e saj në Komunën e Podujevës nuk ishin të pakta, por gabim e cilëson mos ankesën me shkrim, pasi mendon se në atë mënyrë do merrej më shumë për bazë. H.D. thotë se përveç se ka tentuar të punësohej për ta dhënë lëndën e Edukatës Qytetare, ka provuar edhe profesionin e biblotekistes, por thotë se asnjëherë nuk i ka “ardhur puna të deri aty sa të pranohej”.

Pavarësisht këtyre sprovave, ajo thotë se ende ka shpresa se do punësohet në profesion që ka zgjedhur që nga studimet. Ajo thekson se mbajtja e familjes ishte arsyeja që e shtyu drejt këtij profesioni, teksa potencon se pavarësisht kësaj nuk ndihet mirë.

“Normal dhe në familje ka punuar burri, ndoshta edhe fëmijët, por ndoshta na u ka dasht hala ma shumë për me i plotësu kërkesat…por për mos me mbet hiç pa punë kam thanë që duhet me punu, kom me shku me pastru, edhe pse se kom dashtë hiç hiç hiç, hiç absolut. Se na si femra punojmë edhe në shtëpi, pastrojmë edhe në shtëpi, por kam thënë, edhe hala me ra në atë ndikimin ma të ulët, edhe punën e pastrimit, edhe pse edhe kjo është një lloj pune, apet nuk e cilësoj si e ulët, por unë nuk ndihna mirë. Unë jam ndi qashtu me të thënë të drejtën.. mu ka dok qashtu, mu ka dok si vetveten unë po e uli”, shton H.D.

52-vjeçarja ka edhe një kërkesë për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Sa i përket arsimit, kisha dashtë me apelu te ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me punu ma shumë për arsim. Sepse unë e kam vërejtur një gjë që po mendoj që është shumë negative…numri i madh i nxënësve në klasë. Unë mendoj që nuk është zgjidhje e duhur dhe nxënësit nuk po arrijnë të kenë sukses. Po ashtu të hapen shkolla më shumë, si të hapen shkollat, numri i nxënësve nuk mbetet në klasa shumë i madh, hapen vende të reja të punës, nuk bllokohen krejt, shumica po kryejnë Fakultet e çka tani, çka po bëhen, kamariera, jo në drejtimin e vet përkatës”, është shprehur ajo.

Kosova ka 2.209 mësimdhënës më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit. Momentalisht, në Kosovës nuk po mbahet procesi mësimor për shkak të grevës së mësimdhënësve, si arsye e mosplotësimit të kërkesave të tyre nga Qeveria.

Shpërndaje në: