Rrëfimi i nipit të Zogut. E vërteta e arit më 1939 dhe përshtypjet nga dasma e princit

Rrëfimi i nipit të Zogut. E vërteta e arit më 1939 dhe përshtypjet nga dasma e princit

Pjesëmarrja e saj ka ndodhur pas një takimi pajtimi që Mbreti Juan Carlos pati me Lekën e II dhe kandidaten për bashkëshorte Elian, gjashtë muaj më parë në Monako, në prani në Princit Albert.

Ai tregon se një ditë pas dasmës, Kryeministri Rama ka pritur në godinën e qeverisë çiftin princëror dhe të gjithë të ftuarit monarkë, duke organizuar një koktej me këtë rast.

Ju jeni dëshmitar i tri dasmave të bëra në Oborrin Mbretëror shqiptar, atë të Ahmet Zogut, Lekës së Parë dhe Princ Lekës. Si do ta vlerësonit dasmën e fundit?

Për dasmën e parë nuk mund të kem një vlerësim, sepse kam qenë i vogël, 5 vjeç, më kanë çuar me motrën në dasmë, kam qëndruar 5 minuta, e pashë mbretin dhe mbretëreshën, dhe kam ikur. Në dasmën e dytë, atë që u zhvillua në Madrid, unë kam qenë drejtuesi i ceremonisë martesore. Por dasma e Princ Lekës ka qenë më e madhja, sepse u bë në tokën tonë, në atdheun tonë dhe merrte një kuptim të plotë si dasmë shqiptare e mbretërisë sonë. Në gjykimin tim, dasma e javës së shkuar ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja.

Çfarë tregon për këtë dasmë prezenca jo e vogël e familjeve mbretërore europiane?

Unë në radhë të parë dua të falënderoj qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Rama, i cili organizoi një pritje për ne një ditë pas dasmës dhe na nderoi jashtë mase.

Ju priti ju zoti Rama, apo dhe çiftin e sapomartuar?

Jo, jo, në zyrën e tij, në godinën e qeverisë. Vizituam Kryeministrinë, sallën e hartave dhe ishte bërë shumë e bukur. Edhe ai e vlerësoi dasmën dhe tha se “Kjo dasmë i dha vendit një imazh shumë pozitiv”. Ai falënderoi familjen mbretërore, uroi Princin dhe Princeshën për këtë kurorëzim, falënderoi të huajt nga familjet mbretërore që kishin ardhur në Shqipëri.

A kishte ftesë Kryeministri Rama për të ardhur në dasmë?

Po, po, e kam kontrolluar vetë protokollin me Princin dhe ka pasur ftesë për në dasmë.

Ra në sy vetëm prezenca e të djathtëve në këtë dasmë dhe mungonin të majtët, përveç kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, si e shpjegoni këtë?

Unë nuk i pashë të gjithë sepse isha në tavolinën e nderit, por takova zotin Berisha dhe zotin Lulzim Basha që i njoh, por nuk mund të them se a kishte të majtë apo nuk kishte.

Si e vlerësoni prezencën e shumë familjeve mbretërore europiane në këtë dasmë?

Prezenca e përfaqësuesve nga 20 familje mbretërore ishte një nderim shumë i madh për familjen tonë mbretërore, por edhe për vetë vendin. Ata i dhanë një vlerë Shqipërisë. Ky ishte një rast dhe një mundësi për t’i kallëzuar botës se çfarë është Shqipëria. Unë kam folur me shumë princa dhe princesha dhe ata u mahnitën me Shqipërinë dhe me dasmën, dhe më shprehën dëshirën që të vijnë përsëri në Shqipëri. Në dasmë ata u njohën me traditën shqiptare. Kjo ka qenë pika më e fortë e kësaj dasme, që përmes saj e bëmë të njohur Shqipërinë edhe në familjet mbretërore.

Po Mbretëresha e Spanjës, Sofia, çfarë përshtypjesh pati nga dasma dhe Shqipëria?

Para gjashtë muajsh në Monako te Princi Albert u bë një takim miqësor, ku ishte i pranishëm Mbreti Juan Carlos dhe Mbretëresha Sofia. Qeveria e Juan Carlos­it e detyroi Lekën e Parë të largohej nga Spanja, për shkak të disa problemeve në atë kohë, ishte çështja e Kosovës. Me këtë takim me Princin Leka dhe Elian, Mbreti i Spanjës, Juan Carlos, bëri një pajtim me familjen mbretërore shqiptare pas largimit të Lekës së Parë. Nuk ishte një takim zyrtar, por ky ishte qëllimi i këtij takimi në Monako. Mbretëresha Sofia ishte shumë e kënaqur që gjendej në këtë dasmë. Më tha që kishte dëgjuar vazhdimisht për Shqipërinë dhe donte të vinte sërish. Përshtypjen më të madhe ma ka bërë ish­Perandoresha e Iranit, Farah Diva, e cila më tha se ju shqiptarët, edhe kur bëni dasma, mbani simbolet e kombit, ju mbani edhe flamurin në dasmë, duke e bashkuar në këtë mënyrë popullin me dasmën. Edhe te ne bëhen dasma, por nuk bashkohet atdheu dhe kombi me dasmën. I thashë se ne kemi vuajtur shumë, na kanë sulmuar nga të katër anët dhe ne në këtë mënyrë festojmë shqiptarizmin. Ajo ka pasur lidhje të ngushta me Mbretëreshën Geraldinë.

Në Tiranë ka një debat për dasmën e Princit Leka, duke e krahasuar edhe me dasmën e Mbretit Zog në lidhje me luksin dhe shpenzimet, kush e ka financuar atë?

Është zoti Julien Roche, i cili bashkë me disa miq të tjerë të familjes mbretërore kanë sponsorizuar për këtë dasmë. Familja mbretërore nuk i kishte mundësitë financiare që ta përballonte këtë dasmë.

Një nga çështjet, që ende ndan shqiptarët në pro dhe kundër Mbretit, është edhe ajo e floririt. Është thënë se Mbreti Zog ka marrë me vete florinjtë kur është larguar nga Shqipëria. Ju keni ikur bashkë me të. Ku është çuar ai flori?

Bashkë me plaçkat e familjes, Mbreti Zog ka pasur me vete ar osmanlli, atë e kam parë me sytë e mi. Edhe unë i kam dëgjuar ato fjalë sikur Mbreti ka marrë me vete 170 kg ar. Si mund të merret 170 kilogramë ar në atë mënyrë? Ari shqiptar ka qenë në Londër. Atje depozitonte rezervën e tij çdo shtet. Kjo vërtetohet me faktin që pas incidentit të Korfuzit me anijen luftarake britanike, Anglia i bllokoi Shqipërisë sasinë e arit të saj në Londër si dëmshpërblim ndaj atij incidenti e që më pas u zhbllokua pas vitit 1990, kur në pushtet erdhi zoti Berisha. Mbreti Zog dhe familja mbretërore ka jetuar me ar osmanlli.

Nga ka ardhur ky ar?

Këtë ar ia ka sjellë Lalë Krosi nga Stambolli prej gjyshit dhe babait të Ahmet Zogut. Me ato para ne kemi jetuar dhe jemi shkolluar. Por në një moment mbaruan dhe ato florinj, sepse jeta në Europë ishte e shtrenjtë. Atëherë Mbretëresha Geraldinë dhe princeshat u detyruan të shisnin stolitë e veta. Po të kishin 170 kilogramë ar me vete, nuk do t’i shisnin, do të kishin mundësi të blinin edhe automobila. Ahmet Zogu nga shteti atë ditë ka marrë vetëm rrogën e vet, që është firmosur nga kryeministri dhe ministri i Ekonomisë dhe ka ikur. Nuk e di sa ishte rroga.

 

Shpërndaje në: