Rrëfimi ndryshe i Bashës, tregon pse braktisi Holandën për t’u kthyer në Shqipëri

Rrëfimi ndryshe i Bashës, tregon pse braktisi Holandën për t’u kthyer në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike në një intervistë ndryshe në emisionin “Opinion”, ka treguar ndër të tjera edhe për lidhjen me Hollandën dhe përse vendosi të kthehej në Shqipëri.

Fevziu: Përse ju ngatërrojnë kaq shumë me Hollandën. Vura re LSI-në, në një deklaratë të fundit që sërish e riforcon këtë çështje.

Basha: Unë kam jetuar në Holandë, kam studiuar në Holandë dhe pa dyshim që kam shijuar vitet e mia në Holandë dhe i jam mirënjohës përjetë atij vendi për atë që më fali. Privilegjin që kam patur dhe vitet e para të hapjes së Shqipërisë për të shkuar e studiuar, për të krijuar miqësi atje, për të mësuar rreth një shoqërie me mundësi të barabarta për njerëzit. Ky është një privilegj që unë e kam patur, por unë kam vendosur vetë të rikthehem në shtëpi në vitin 2004, pas një periudhe katër vjeçare shërbimi në Kosovë.

Fevziu: Kishit një dilemë, të ktheheshit në Shqipëri apo të qëndronit?

Basha: Pa dyshim. Ka qenë një vendim i rëndësishëm i jetës sime, por një vendim i prerë, i marrë në konsultim me bashkëshorten time Aurela, atëherë nuk kishim fëmijë. Ne ndodhemi prej vitit 2004 këtu. Nuk janë mediat që kanë spekuluar për këtë. Por ka qenë Edi Rama që ka spekuluar. Ajo është një sajesë, një baltosje. Për fat të keq, është një nivel shumë i ulët për dikë që akuzon çdo ditë mediat si kazan e vetë bie në nivelin e baltosjes së jetës familjare të fëmijëve të kundërshtarit politik. Por siç e kam thënë edhe më parë, unë kam zgjedhur ta injoroj këtë. Ka shumë miq, komshin të pallatit, që thonë, si nuk i kthen përgjigje. Jemi në qendër të vëmendjes së publikut dhe jemi këtu për publikun dhe jo për veten tonë. Ky është një nivel i ulët i kundërshtarit politik, të merret me fëmijët e kundërshtarit, por kur kam parasysh se ç’heqin fëmijët e shqiptarëve nga i njëjti kundërshtar politik, fëmijë që për këtë festë nuk marrin dot dhurata, shumë prej tyre jetojnë në shtëpi ku u është këputur energjia elektrike, apo ku prindërit janë pa punë dhe nuk sigurojnë dot mjetet bazë të jetës, pra kur shoh se çfarë për fat të keq kundërshtari politik ka shkaktuar me politikat e tij, me papërgjegjësinë e tij, për qindra, mijëra fëmijë shqiptarë, mendoj që nuk është e domosdoshme që të reagoj sa herë që merret me fëmijët e mi.

Po, ne jetojmë në të njëjtin apartament që prej vitit 2005, apartament që e kemi blerë në vitin 2003, para hyrjes në politikë. Vajzat shkojnë këtu në shkollë, vajza e madhe shkon në shkollë dhe vajza e vogël shkon në kopësht. Gjithçka tjetër është një sajesë e pastër që bëhet vetëm për qëllime politike.

Fevziu: Ju jeni larguar në Holandë në moshë shumë të re, apo jo?

Basha: Në vitin 1993.

Fevziu: Ishit maturantë në mos gaboj… Ose në vitin e parë të studimeve dhe keni studiuar atje. Në momentin që jeni kthyer në Shqipëri, sipas të dhënave që kam unë, të mos jem i gabuar, keni pasur një pagesë shumë të mirë në Kosovë. Përse një çift që paguhet mjaft mirë në një vend tjetër, që ka ndërtuar edhe një lloj jete në një shtet tjetër ku ka jetuar për më shumë se sa një dekadë, vendos të kthehet në Shqipëri? Cili ishte motivi që ju shtyu të ktheheshit?

Basha: Motivi ishte dhe është, sepse ne besojmë, besojmë tek Shqipëria. Besojmë se edhe Shqipëria ka të gjitha shanset dhe mundësitë të kthehet në një vend ku jo vetëm unë dhe familja ime, por çdo shqiptar, të ketë mundësinë të jetojë mirë.

Fevziu: Ju ftuan apo vendosët të vinit vetë z.Basha?

Basha: Pa dyshim edhe jam ftuar, por vendimin e kam marrë unë. Vendimin e kam marrë unë bashkë me bashkëshorten time, kishim një vit që ishim martuar, në vitin 2004 ishim martuar. E kam shpjeguar para disa vitesh por po e kthej prapë në vëmendje. Isha para disa vendimeve, kisha një ftesë për të punuar në një institucion ndërkombëtar në Hagë që sapo themelohej, kisha një ftesë për të punuar në New York, po kështu për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një ftesë të përsëritur nga opozita, nga Partia Demokratike, nga Sali Berisha, për t’iu bashkangjitur përpjekjes opozitare dhe me thënë të drejtën, shpirti më qante prej vitesh…

Fevziu: Gjatë kohës që ishe në Holandë, ishe i lidhur me Shqipërinë?

Basha: Në mënyrën më intensive.

 

Shpërndaje në: