Rrëfimi për hetimin e djalit të Kryeministrit Mustafa (Video)
Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të shfaqur mbrëmë në RTK prokurori special Ali Rexha rrëfeu se pse e pushoi ndjekjen penale ndaj Besnik Mustafës, djalit të Kryeministrit Isa Mustafa.
Rexha tha se për të hequr dorë nga kjo ndjekje e bindi analiza e ekspertit i cili mund të ishte angazhuar që në fazat fillestare të hetimit, e jo tre vjet më vonë.
Rexha deklaroi se nuk ka pasur asnjë presion që të mos e ndjekë penalisht djalin e numrit një të qeverisë, por është bindur se nuk ka bazë për vazhdimin e ndjekjes.
Besnik Mustafa në cilësinë e ish-punonjësit të Bankës “BpB” akuzohej për shpërdorim detyre në një proces gjyqësor bashkë me gjashtë persona tjerë që lidhej me me 1 mijë e 600 udhëtarët të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës.
Në tetor të vitit të kaluar gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në këtë gjykim, Rexhaj hoqi dorë nga ndjekja penale e Besnik Mustafës dhe dy kolegëve të tij.



