Rrënimi i propagandës, fillimi i rrahagjokseve
Forca të shtuara të sigurisë kishte gjithandej, përfaqësues të ambasadave e edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovës, Natalyia Apostolova, raporton Periskopi.
Iu deshën më shumë se një orë dy ekskavatorëve të rrëzonin murin që u ndërtua para syve të të gjithëve, e që po pengon lëvizjen e lirë edhe të veturave edhe të qytetarëve. Ai u rrënua tërësisht.
Struktura prej betoni që është ndërtuar ilegalisht në fund të vitit që sapo lamë pas, tashmë është rrënuar, por aty ende po qëndron një strukturë e metaltë, madje vetëm sa u përforcua më shumë të dielën, më 5 shkurt.
Ashtu do qëndrojë kjo lloj pengese edhe për një kohë, derisa të vazhdohen punimet në sheshin e quajtur “Mbreti Pjetër”, ndërsa askush nuk e di se kur do të lirohet për qarkullim të qytetarëve, madje as nuk japin afat për këtë.
Muri u ndërtua ilegalisht, pati premtime se do rrënohet nga zyrtarët e Kosovës, u krijua edhe një rezolutë për rrënimin e tij, por vetëm kur hyri BE dhe ShBA dhe i mblodhën kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ky vendim u morën të premten pas mesnatës, në një takim në Qeveri që zgjati shumë orë, vetëm pasi që Goran Rakiq dhe të tjerët me radhë u takuan me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg, i cili zhvilloi një vizitë në Kosovë.
Teksa ai garantoi siguri në Kosovë dhe tha se janë forcë e tretë në Kosovë pas Policisë/FSK dhe EULEX-it, gjithçka ndryshoi.
Të dielën të gjithë ishin në veri. Muri u rrënua e deklaratat filluan.
Serbët kërcënojnë se do e ndërtojnë një mur tjetër, e zyrtarët e shtetit të Kosovës thonë se ajo pjesë do të lirohet për qarkullim, por askush nuk jep ndonjë datë.
“Të martën, më 7 shkurt, do të fillojë ndërtimi i “një strukture” betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash”, thotë Rakiq.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa këmbëngul se muri nuk u diskutua në Bruksel, ndërsa kryetari i Mitrovicë së Jugut, Agim Bahtiri thotë se duhet pyetur Kadri Veseli nëse do ketë mure tjera ndarëse , e ky i fundit thotë se muret janë të së kaluarës.
“Sot nuk mund të ju them për datën. MMPH ka pasur një vërejtje edhe për rrethin që do të ndërtohet në pjesën veriore. Se sa do të zgjasin këto punime, për të arritur deri në atë standard që është pajtuar nga të gjitha palët, nuk e dimë. Por do ju njoftojmë. Unë vlerësoj se është bërë një punë mjaft e mirë. Duhet të përqafojmë këtë që është bërë dhe të mendojmë pozitivisht për të ardhmen”, ka theksuar Isa Mustafa.
“Kadri Veseli ka thanë nuk do ketë mur, e nuk i besoj sepse ka thënë edhe më herët se nuk do ketë asnjë centimetër mur. Lëvizja e lirë shpejt do të jetë e garantuar, por nuk mund të them kur se pse nuk jam pjesë e marrëveshjes”, tha Bahtiri.
Ndërsa, shefja e BE-së ka garantuar se nuk do të ketë më mure, ndërsa ka thënë se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt.
“Nuk do të ketë mure, por vetëm struktura metalike për të penguar qasjen e automjeteve në të”, ka thënë Apostolova.
Ndryshe, rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, do të duhej të përfundonte më 20 janar. Ndërsa, ndërtimi i murit nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshje. /Periskopi



