Rrezikojmë luftë: Deklaratat e Kurtit si përgatitje e popullit për Asociacionin, sipas analistëve

Rrezikojmë luftë: Deklaratat e Kurtit si përgatitje e popullit për Asociacionin, sipas analistëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë sot për gazetën italiane, La Repubblica, ku ka shkaktuar mjaft telashe me deklaratat e tij që në Kosovë ekziston rreziku i një lufte me Serbinë. Krerë e deputetë të partive politike, dhe njohës të politikës në fushën e sigurisë, këto deklarata të kryeministrit, po i vlerësojnë si dëmtim të imazhit të Kosovës në sy të investitorëve të huaj, shkruan Periskopi.

Analisti dhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, i ka thënë Periskopit se e ka parë mjaft shqetësuese deklaratën e kryeministrit Kurti duke marrë parasysh se, ai [Kurti], një deklaratë të tillë, e ka dhënë për një medium të huaj e jo në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

“Deklarata e Kryeministrit Kurti për mediumin e huaj është jashtëzakonisht shqetësuese për nga përmbajtja sepse sa unë jam në dijeni kryeministri Kurti këtë deklaratë nuk e ka deklaruar aty ku është tempulli i demokracisë, pra në Parlamentin e Republikës se Kosovës. Konsiderojë që populli i Kosovës, nëse është ashtu siç ka deklaruar kryeministri, duhet të jetë i informuar në Parlament apo në qeveri të Kosovës e jo nga mediumet e huaja”, tha ai.

“Që kemi probleme me veriun e Kosovës askush nuk e vë në dyshim, por që qenkemi në pragë të luftës apo kemi qenë në pragë të luftës askush nuk e ka ditë”, u shpreh Sheholli për Periskopin.

Ndryshe nga Sheholli, deklaratën e kryeministrit Kurti e sheh analisti i njohur kosovar, Fadil Hoxha, ku në një përgjigje me shkrim për Periskopin tha se Kurti, me gjasë po dëshiron ta frikësojë popullatën me qëllim të parapërgatitjes për ndonjë eventual të tillë si fillimi i implementimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndër të tjera, Hoxha thotë se rreziku për luftë në rastin e Kosovës është i vogël për shkak të mbrojtjes ndërkombëtare që ka nga misioni ushtarak KFOR me komandë nga NATO

“Rrezik për luftë ka gjithnjë, por në rastin e Kosovës, ky rrezik është më i vogël për shkak të mbrojtjes ndërkombetare që ka nga misioni ushtarak KFOR me komandë nga NATO. Mandati i KFOR-it është kristalisht i qartë kur jemi te aspektet e sigurisë në Kosovë. Ky mision, i mandatuar nga OKB me rezoluten obligative 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka për obligim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë si dhe “parandalimin e hyrjes në Kosovë të forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë”, siç thuhet në piken 9 të rezolutes së lartcekur”.

“Pra, KFOR-i ka marrë obligim që të përgjigjet ushtarakisht nga çfarëdo provokimi apo aventure ushararke, policore e paramilitare të Serbisë në Kosovë dhe nuk duhet dyshuar që ky mision do i kryej detyrat e veta në pajtim me mandatin që ka”.

“Në këtë kuptim edhe deklaratat për rrezik lufte, qoftë edhe nga kryeministri i Kosovës, nuk kanë baze reale pos ndoshta ndonje aryse tjetër që ka kryeministri Kurti”, tha Hoxha për Periskopin.

Ndaj deklaratës së Kurtit ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku thotë se këso deklarata japin mesazh të gabuar për vendin tonë.

Ai ka thënë se Kurti është dashur të flas për investime, integrime e jo për luftë të mundshme, duke shtuar se kjo bie në desh me imazhin e ndërtuar nga festivalet ndërkombëtare që po mbahen në Kosovë këtë verë.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.”, shkroi ai në Facebook.

Abdixhiku tutje shtoi se Kurti e dëshiron krizën dhe po ashtu ka dëshirë të jetë protagonist.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?! Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, shtoi ai.
Në fund, Abdixhiku thotë se paniku ndërkombëtar për luftë në Kosovë është interes i Vuçiqit dhe Serbisë, e jo i Kosovës të cilës i duhet stabiliteti.

“Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka bërë thirrje që të mos bëhet panik, sepse nuk do të ketë luftë në Kosovë, përcjell Periskopi.

“Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Ndërkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, ka shkruar Çitaku.

Opcion tjetër përpos që të dërgohen mesazhe pozitive te ndërkombëtaret nga pala kosovare nuk duhet të ketë, mendon ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Kosova ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje. Nga Kosova duhet të dërgohen mesazhe që nxisin pozitivitet për të ardhmen tonë euro-atlantike, për jetë më të mirë e për sigurinë e investimeve. Ne duhet që të sqarojmë para të gjithëve se ende kemi çështje të hapura me fqinjin verior, të cilat çështje do t’i zgjidhim me dialog, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar, sepse opcion tjetër nuk ka dhe nuk do të lejohet të ketë”, ka thënë Hoti.

Deklaratat e kryeministrit Kurti për luftë kanë shfaqur panik në kompani amerikane, duke e vënë në dyshim investimin në Kosovë.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se deklaratat që në Kosovë mund të ketë luftë, po e dëmtojnë imazhin publik në sy të investitorëve të huaj. Ai tregon që një kompani amerikane, që ka pasur në plan të investojë në Kosovë, ka kontaktuar me të, duke shprehur shqetësimin për lajmet që po lexojnë në mediat botërore.

“Përhapja e opinionit, në mediat globale, që në Kosovë mund të ketë luftë, nuk ja sjell asnjë dobi Kosovës. Kompani të interesuara për investime në Kosovë, në mesin e tyre një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë, në muajt në vijim, më kanë kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuara nga ajo që kanë lexuar”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet në Bruksel me presidentin serb, Aleksander Vuçiq më 18 gusht. Kurti ka paralajmëruar se nuk do të ketë bisedime për reciprocitetin me targa e letërnjoftime, por pret që të flitet për disa elemente drejt një marrëveshjeje përfundimtare./ Enis Rrustemi – Periskopi/

 

Shpërndaje në: