Rrëzohet vendimi skandaloz i Gjykatës Themelore, që udhëhiqet nga Hamdi Ibrahimi (Dok)
Më saktësisht bëhet fjalë për anulimin e procedurës së rekrutimit për pozitën Udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në këtë gjykatë.
Gazeta Blic e ka siguruar vendimin e këtij këshilli, i cili e ka miratuar ankesën e kandidatit, Fatmir Krasniqi.
Në vendimin e këtij këshilli thuhet:
Aprovohet si e bazuar ankesa me numër A 02/494/2016 e datës 18.11.2016, e parashtruar nga ankuesi Fatmir Krasniqi
Shfuqizohet vendimi me numër Ka. Nr. 9/16 i datës 07.11.2016 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i Gjykatës Themelore në Prishtinë
Anulohet procedura e rekrutimit për pozitën Udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve, e shpallur sipas konkursit me Nr. 04/2016 të datës 02.08.2016 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe të gjitha vendimet që rrjedhin në këtë procedurë.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryetari i Kolegjit.
Ishte pikërisht kandidati Fatmir Krasniqi, ai i cili kishte pretenduar përmes një ankese për shkelje të konkursit nga ana e Gjykatës së drejtuar nga Hamdi Ibrahimi.
Ai kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të Komisionit intervistues, i cili e kishte përzgjedhur si kandidaten më të suksesshme për këtë pozitë, Kristina Shtufi, e cila është pjesë e kësaj gjykate.
Sipas kësaj ankese, kandidati Krasniqi konsideron se është favorizuar kandidatja, e cila është pjesë e Gjykatës Themelore.
Në ankesën e tij, një kopje të të cilës e posedon Gazeta Blic, ai ka propozuar që “vendimi i atakuar të prishet dhe çështja të kthehet në intervistim të kandidatëve me prezencë të mediave apo i njëjti të anulohet dhe të përsëritet procedura e rekrutimit edhe njëherë nga fillimi duke i elminimuar të gjitha shkeljet e bëra nga rekrutimi i parë”.
Krasniqi konsideron se është e pakuptimtë dhe e palogjikshme të përdoret raporti përfundimtar u kandidatëve, ngase sipas tij, kandidatja që e ka fituar vendin e punës, Kristina Shtufi, i është plotësuar testi nga ana e komisionit.
“Ajo e kishte dorëzuar testin e pa plotësuar fare. Këtë e kam vërejtur rastësisht, dhe nga pakujdesia e saj, e cila në 5 minutat e fundit të testimit e shfleton testin e saj nga fillimi deri në fund. Meqenëse unë e kisha përfunduar testin tim dhe nuk më është lejuar dalja jashtë, nga afërsia që kisha me kandidatën në fjalë, kam arritur të shohë që e njëjta nuk e ka plotësuar testin fare, duke qenë i bindur se ajo nuk do ta kaloj testin edhe kam heshtur. Pas përfundimit të testit kam vërejtur se e njëjta është punëtore e Gjykatës për arsye se menjëherë është futur në zyrën e saj”, thuhet ndër të tjera në ankesën e tij.
Në përgjigjen dhënë më 30 shtator, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi kishte mohuar se ka favorizime.
“Lidhur me kërkesën tuaj që e keni parashtruar ju njoftojmë se procedura për rekrutimin e stafit administrativ është në vazhdim. Gjithnjë deri sa procedura nuk përfundon me vendim përfundimtar askush nuk ka të drejtë që të komentoj punën e komisioneve. Janë disa shkallë të komisionit dhe në fund vendos Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës”, ka theksuar ajo.
Madje, refuzimin e kandidatit që të përgjigjet në pyetjet e kandidatit Krasniqi, e kishte konsideruar si presion.
“Natyrisht se në procedurë të rekrutimit gjykata has në presione të ndryshme. Ne e kuptojmë se njëri prej kandidatëve në një shpallje , e i cili vet është tërheq nga shpallja sepse nuk ka pranuar që ti nënshtrohet intervistës me gojë, është burimi i juaj i informacionit në të cilin thirreni. Kjo gjithsesi është formë e presionit në gjykatë. Dhe natyrisht se gjykata nuk vepron nen presionin e askujt”, kishte thënë ndër të tjera Gashi.








