Rriten për 6 për qind pagat e mësuesve dhe mjekëve në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Nga 1 korriku, paga e të gjithë punonjësve të shëndetësisë dhe atyre të arsimit parauniversitar në Shqipëri do të rritet me 6 për qind.

Edhe pse vlera që përfitojnë nga kjo rritje këto 2 kategori të punësuarish nuk është e konsiderueshme, 2 ministret e linjave Manastriliu dhe Kushi e vleresojnë si shumë të rëndësishëm këtë vendim të qeverisë pasi do të prekë të gjithë nivelet e arsmitarëve, edukatorëve si dhe personelit shëndetësor.

Ogerta Manastirliu: Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti rritet dhe 6% paga për mjekët dhe infermierët. Qeveria ka miratuar edhe një shpërblim financiar në masën 15 mijë Lekë në muaj për ata mjekë që përfundojnë specializimin dhe në bazë të kontratave me Ministrinë e Shëndetësisë ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendbanimit, do përfitojnë këtë shpërblim financiar dhe kjo do hyjë në fuqi menjëherë me miratimin nga qeveria, që do përfitojnë rreth 300 mjekë.

Evis Kushi: Ndihem e privilegjuar për të dhënë lajmin e mirë për të gjithë punonjësit e sistemit tonë parauniversitar. Në mbledhjen e qeverisë, finalizuam angazhimin që kemi ndërmarrë kur miratuam buxhetin. Konkretisht, angazhimi me rritjen me 6 për qind të pagave të të gjithë punonjësve të gjithë sistemit arsimor parauniversitar. Në total, janë 36 mijë e 700 punonjës që do të përfitojnë nga rritja e pagave që prej datës 1 Korrik, ku vlen të theksoj se për herë të parë po rritet dhe paga e punonjësve psiko-social dhe të oficerëve të sigurisë.

Rritja e pagave do vijojë edhe përgjatë viteve të tjera. Ne synojmë që pagat për profesionin e mjekësisë të rriten 40%”.

Në vendimin e qeverisë përfshihet dhe rritja e vlerës së pagesës për orët jashtë orarit për mësuesit e sistemit parauniversitar që japin mësim mbi normat, mesatarisht me 10 për qind./TV Klan