Rritet fitimi në sektorin e Hotelerisë, gjysmë miliardë euro qarkullim verës

Rritet fitimi në sektorin e Hotelerisë, gjysmë miliardë euro qarkullim verës

Fusha e hotelerisë në Kosovë e ka marrë vetën pas dy viteve të vështira që i pati si pasojë e pandemisë “Covid-19”.

Vetëm përgjatë sezonës së verës, bizneset e këtij sektori kanë qarkulluar diku 400 deri në 500 milionë euro, të hyra këto të grumbulluara nga shërbimet e ndryshme hoteliere – kryesisht ahengjet.

Kështu të paktën thotë, Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

“Pas pandemisë është normalizuar gjendja. Nga 400 deri në 500 milionë sillen të hyrat”, theksoi.

Sipas tij, të ardhurat do të ishin shumëfish më të larta nëse diaspora krejt paratë do t`i harxhonte në vendlindje.

“Hoteleria varet nga disapora. Shumica e mërgimtarëve, shpenzimet kryesore i bëjnë këtu. Nëse ata nuk do të shkonin për pushim në Shqipëri e Mal të Zi, diku gati sa gjysma e buxhetit do të ishte qarkullimi”, u shpreh Sogojeva për “Front Online”.

Sogojeva nxori në pah një problem, me të cilin po përballet sektori.

“Edhe ky sektor, si krejt tjerët, po ka problem me punëtorët. Numri i tyre dita ditës po zvoglohet. Profesionistët e zanatit po shkojnë me gjet punë në vende tjera”, tregoi Sogojeva.

Ndërkohë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin qershor, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj në Kosovë ishte 37 292 mijë.

Prej tyre 30.59% ishin vizitorë vendorë dhe 69.41% ishin të jashtëm.

Sipas anketës, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Kurse, sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Gjermania dhe Turqia.

Pjesë e anketës së ASK-së ishin 209 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës.

Shpërndaje në: