Rritet lista e pacientëve për rrezatime në Onkologji

Rritet lista e pacientëve për rrezatime në Onkologji

Derisa për trajtimin e Covidit nuk ka fluks të shtuar nëpër spitale, ndryshe është situata në klinikën e Onkologjisë, aty ku trajtohen pacientët me sëmundje malinje.

Edhe pse në këtë klinikë është funksionalizuar edhe aparati i dytë për rrezatime, megjithatë vazhdon fluksi i madh i pacientëve të cilët për rreth 2 javë patën ndërprerje të marrjes së shërbimeve. Stafi i kësaj klinike thotë se Ministria do të duhej të aplikonte marrëveshjen për dërgim të pacientëve në Shqipëri mirëpo nga ministria thonë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Ndonëse është funksionalizuar edhe aparatura tjetër për rrezatim të pacientëve të sëmurë nga kanceri, në Onkologji është krijuar listë e gjatë e pacientëve që po presin për rrezatim.

“Janë mbledhë një numër i konsiderueshëm i pacientëve. Do të provojmë gjatë javëve në vijim t’i thërrasim të gjithë që ta fillojnë procedurën. Vërtetë jemi mbrapa. Këto dy javë apo tri që nuk kemi bërë rrezatime, na kanë kthyer mbrapa procedurën”, ka theksuar për RTK-në, Sonja Blakaj, shefe e Repartit të Radioterapisë, duke vijuar: “Reparti ynë punon 12 orë domethënë prej 7 mëngjes deri në 19 në mbrëmje. Aparatet janë të ndryshme, aparati i ri i cili është montuar vjet ka mundësi shumë më të mëdha, pasi e ka kapacitetin diku 70 deri në 75 pacientë. Ky aparati i vjetër ka mundësi diku nga 40 deri në 45 pacientë me i rrezatu”.

Familjarët e pacientëve që presin për rrezatime flasin për procedurat pas ndërprerjes së terapive.

“Para se ndodh vërshimet mami i ka kryer 15 rrezatime, mandej i ka ra diku 3 javë me pritë, tash ka filluar që tri ditë dhe i ka edhe 6 rrezatime gjithsej. Sot na ka ra pak me pritë për shkak të rasteve të reja por mirë është. Stafi i mirë, gjithçka në rregull”, ka thënë Endrit Zuka familjar. Ndërkaq, Ismet Gashi po ashtu familjar i një pacienti tha se babai i tij që dy javë është duke pritur.

“Sot e kanë thirr në telefon t’i vazhdojë terapitë, kështu që gjithçka në rregull është duke shkuar. Tash jemi duke pritur”, ka thënë Gashi.

Doktoresha Blakaj konsideron se do të duhej të shfrytëzohej ftesa e Ministrisë së Shqipërisë që disa pacientë të trajtoheshin në Shqipëri.

“Kemi pritë prej ministrisë se ka qenë marrëveshja me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë. Kemi mundur ta shfrytëzojmë edhe atë marrëveshje që disa pacientë të shkojnë të trajtohen atje mos të presin këtu”, ka shtuar Blakaj.

Por Ministria e Shëndetësisë konsideron se nuk ka nevojë për dërgim të pacientëve në Shqipëri, pasi sipas tyre stafi i Onkologjisë duhet të punojë me intensitet të shtuar për të evituar listat e pritjes së pacientëve.

Në një përgjigje me shkrim për RTK-në kjo ministri thotë se është e përkushtuar për shërbim sa më të mirë të pacientëve në përgjithësi. “Ndërsa sa u përket shërbimeve të Institutit të Onkologjisë, përkatësisht të shërbimeve të Radioterapisë, pas ngjarjeve të fundit në këtë Institut, Ministri Latifi, ka rekomanduar stafin mjekësor, që të punojnë më shumë, në mënyrë që lista e pritjes së pacientëve të eliminohet”, theksohet mes tjerash në përgjigjen e tyre. Ndërkohë që pohohet se Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka shprehur vullnetin për të ndihmuar në këtë drejtim, por meqë aparaturat janë në gjendje të mirë dhe funksionale, trajtimi i të gjithë pacientëve mund të bëhet në Institutin e Onkologjisë në Prishtinë.

Shpërndaje në: