Rruga drejt ‘Arkivit’ të UÇK-së: Si përfundoi Kurti duke e lutur Serbinë që të kthehej në negociata dhe duke relativizuar krimet e saj?

Rruga drejt ‘Arkivit’ të UÇK-së: Si përfundoi Kurti duke e lutur Serbinë që të kthehej në negociata dhe duke relativizuar krimet e saj?

Qeveria Kurti II ka për kryeministër një politikan që kishte mbrojtur vazhdimisht luftën dhe vlerat e UÇK-së deklarativisht. Sidoqoftë, me ardhjen në pushtet ai është kritikuar pikërisht për braktisjen e këtyre vlerave me zëvendësin e tij Besnik Bislimin që dje shkaktoi hidhërim te ish luftëtarët e UÇK-së me deklaratën për “arkivën e UÇK-së”.

Shumë njerëz e panë deklaratën e z. Bislimi si barazim të agresorit me viktimën.

Bislimi kishte deklaruar se ishte në interes të Kosovës që të hapej arkiva shtetërore e Serbisë, dhe se për një arsye të tillë ishte pajtuar në emër të Kosovës që të hapej arkivi ynë shtetëror që kishte të bënte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

‘Arkivi’ i UÇK-së

Kjo nxiti një varg reagimesh. Ish kryeministri Isa Mustafa, në një deklaratë dhënë sot për media, deklaroi se ““Delegacioni ynë mund të hapë budallallëqet dhe krekosjet e disa individëve që shkruanin libra rrahagjokëse pas lufte dhe asgjë tjetër. Por zotimi i tillë e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe luftën çlirimtare, sepse kanë pranuar barazimin e agresorit me viktimën gjë që është e padrejtë dhe e tmerrshme.”

Në anën tjetër, RTK përmes një varg dokumentesh tregoi se shefi i Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq kishte urdhëruar zhdukjen e dosjeve të luftës nga arkivi shtetëror i Serbisë.

Çka do të gjejë Besnik Bislimi në arkivin shtetëror të Serbisë dhe çka do të gjejë në arkivin shtetëror të Kosovës për UÇK-në mbetet të shihet në javët apo muajt në vijim, komenton Periskopi.

Sidoqoftë, narrativa për luftën ka ndryshuar dukshëm gjatë ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

Shumë qytetarë ende mund të kenë dashuri të madhe për UÇK-në që efektivisht realizoi ëndrrën shekullore për liri. Sidoqoftë, çka mendon përfaqësuesi i saj, Albin Kurti, duket se duhet parë vetëm përmes veprimeve dhe fjalëve të tij në pushtet.

Relativizimi i agresorëve

Në fund të majit të këtij viti [2021], kryeministri Kurti kishte dhënë një tjetër deklaratë që kishte nxitur kritika të mëdha.

Ai kishte kërkuar që “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor” të ballafaqoheshin me të kaluarën duke eliminuar nga skena politike e institucionale ata që i kishte quajtur “kriminelë të luftës e të paqes”.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit – nëse luftohen oligarkitë në ekonomi – dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes”, theksoi Kurti duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”

Pra, të gjitha vendet barazisht. Kosova, ashtu si Serbia.

Kujtojmë që liderët e luftës së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë nuk janë pjesë e skenës politike duke qenë se po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë.

Nga refuzues i dialogut, në lutës të Serbisë për t’u kthyer në dialog

Por, çka ndodhi më pas? Ose, çka ndodhi më përpara, që po ndodh tash, e që përcaktoi shumçka më pas?

Megjithëse kryeministri Kurti kishte thënë që nuk do të ulej në tavolinën e negociatave pa kërkuar falje kjo e fundit për krimet e luftës dhe pa shlyer dëmshpërblimet e po asaj lufte, i ishte rrekur një rruge poshtëruese për të cilën nuk raportuan e nuk po raporton gati askush.

Kjo rrugë ishte bindja e Serbisë që të kthehej në tavolinën e negociatave. Si ndodhi kjo?

Së pari, u desh të tërhiqej tarifa doganore [taksa 100%], gjë që ndodhi gjatë Qeverisë Kurti I.

Dhe më pas, përkundër që ishte folur për shumë e shumë kohë, të mos vendosej masa e Reciprocitetit që thënë me fjalët e kryeministrit ishte e drejtë e çdo shteti sovran. Kurti kishte deklaruar se një gjë e tillë po bëhej sepse Kosova s’ishte e përgatitur mirë teknikisht për një gjë të tillë. 

A ka qenë ndonjëherë më e paqartë, edhe për vetë qytetarët e Kosovës, se kush ishte viktima e kush agresori në luftën e Kosovës? Meqë, një pjesë e madhe e atyre që ishin dëshmitarë të luftës po vdesin ose janë në moshë të shtyrë, gjeneratat e ardhshme duket se do të besojnë krejt tjetërçka nga ajo që përnjëmend ka ndodhur.

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, para se Besnik Bislimi të thoshte fjalët e tij për arkivën e UÇK-së, bëri një status në profilin e saj në Facebook ku fliste për mendësinë anti-UÇK.

“Dëshmi që mendësia anti-UCK dominon dhe udhëheq në vend është pikërisht argumenti me të cilin shërbehën që të dy ligjerimet kryesore; tradita e çlirimit të armatosur dhe ata që takojnë në rrymën pacifiste. Dy taborret kryefjalë kanë pamundësinë.

Sikur të kishte fituar vizioni çlirimtar, cilido proces i mbivendosur, në instancë të fundit, do të ishte i pamundur. Fakti që dy taborret shërbehën me terminologjinë e njejtë nuk është sepse fjalët nuk janë të përkufizuara qartë për rastin konkret, por sepse logjika e nënshtruar është internalizuar në mendim.” – tha ajo.

Se si do të shihet UÇK-ja nga gjeneratat që vijnë, duket se do të përcaktohet ndjeshëm gjatë këtyre javëve e muajve që vijnë. /Periskopi 

Shpërndaje në: