Rusia dhe Kina demonstrojnë forcën në Paqësor

Rusia dhe Kina demonstrojnë forcën në Paqësor

Anijet luftarake ruse dhe kineze kanë kryer patrullimin e parë të përbashkët në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor, tha ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë të shtunën. Patrullat përfshinin gjithsej 10 anije luftarake, 5 nga secili komb, dhe zgjatën një javë, nga e diela, 17 tetor deri të shtunën, 23 tetor, duke mbuluar 1,700 milje detare, sipas ministrisë.

Objektivi i patrullës së përbashkët ishte të “demonstronte flamujt shtetërorë të Rusisë dhe Kinës, të ruante paqen dhe stabilitetin në rajonin e Azi-Paqësorit dhe gjithashtu të mbronte objektet e aktivitetit ekonomik detar të të dy vendeve”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN.

“Gjatë patrullimit, grupi i anijeve luftarake kaloi për herë të parë përmes ngushticës Tsugaru”, thuhet në deklaratë. Ngushtica Tsugaru është midis ishujve japonezë Honshu dhe Hokkaido në pjesën veriore, që lidh Detin e Japonisë me Oqeanin Paqësor.

Krahas patrullës, dy marina ushtruan manovra të përbashkëta taktike dhe kryen një sërë stërvitjesh ushtarake, thuhet në deklaratë. Të dy vendet kanë një partneritet të vazhdueshëm ushtarak dhe kanë kryer një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake, profili më i lartë i të cilave ishte “Vostok 2018”, i cili përfshinte një betejë të simuluar, raporton abcnews.

Në gusht, Rusia dhe Kina bashkuan forcat edhe një herë për të përdorur një sistem të përbashkët komandimi dhe kontrolli, me trupat ruse të integruara në formacionet kineze, sipas një deklarate nga ministria e mbrojtjes e Kinës në atë kohë. “Të dy vendet janë me një miqësi të pathyeshme” tha në një konferencë për shtyp në qershor zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze.

Shpërndaje në: