Rusia nis vaksinimin e qytetarëve me ‘Sputnik V’ ende pa e testuar plotësisht

Rusia nis vaksinimin e qytetarëve me ‘Sputnik V’ ende pa e testuar plotësisht

Rusia të shtunën e ka nisur vaksinimin e njerëzve me vaksinën e saj kundër koronavirusit, “Sputnik V”, për të cilën ekspertët perëndimorë kanë thënë se nuk është testuar sa duhet në njerëz para dhënies së miratimit për përdorim të gjerë. As rezultatet e testimit nuk kanë qenë transparente.

Autoritetet ruse e miratuan për përdorim vaksinën “Sputnik V” në muajin gusht, duke e bërë Rusinë shtetin e parë në botë që miraton një vaksinë kundër sëmundjes së re, COVID-19.

Zhvilluesit e kësaj vaksine kanë thënë se ajo është 95 për qind efektive dhe nuk shkakton efekte anësore të mëdha, por ende është duke iu nënshtruar procesit të testimit, shkruan BBC.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, i cili njoftoi për fillimin e programit të vaksinimit këtë javë, tha se vaksina së pari po u jepet punëtorëve të shëndetësisë, punëtorëve të arsimit dhe punëtorëve socialë. Ai shtoi se lista do të zgjerohet pasi të ketë më shumë doza të vaksinës në dispozicion.

Banorët e Moskës që kanë këto profesione dhe që janë nga mosha 18 deri 60-vjeçare, do të kenë mundësi që të caktojnë termin për t’u vaksinuar në 70 qendra në tërë qytetin, të cilat do të punojnë nga 12 orë në ditë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.

Ndryshe, Rusia deri më tani i ka regjistruar mbi 2 milionë e 382 mijë të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 41 mijë njerëz kanë humbur jetën. Moska, kryeqyteti i vendit, është epiqendra e përhapjes së virusit dhe çdo ditë po regjistron mijëra raste të reja.

Shpërndaje në: