Ryma në veri, pas letrës së Blinkenit, Konjufca jep qershorin si afat optimal për gjetjen e një zgjidhjeje

Ryma në veri, pas letrës së Blinkenit, Konjufca jep qershorin si afat optimal për gjetjen e një zgjidhjeje

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, ditë më parë i ka dërguar një letër kreut të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ku ndër të tjera ka kërkuar që të bëhet një marrëveshje për punën e energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Pas kësaj letre, një afat të mundshëm se kur potencialisht duhet të gjendet një zgjidhje, e ka dhënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa ka folur për zgjidhjen e krizës energjetike në vend.

Konjufca thotë se dy çështjet kritike janë kthimi në punë i Bllokut B2 dhe futja e veriut të Kosovës në pagesë.

Sipas tij, nëse këto dy çështje zgjidhen deri në qershor, atëherë dimri tjetër do të jetë i pavërejtëshëm.

“Unë po mendoj që ajo  që e tha Astriti si muhabet që u mundu t’i grumbullojë disa resurse, duke u mund me e dhanë pak ma optimist totalitetin e megavateve. Unë mendoj në gjashtë muajt e ardhshme, kritike është kthimi i bllokut, edhe kritike është futja e pjesës së veriut të Kosovës në pagesë. Na po jemi si afat, unë mendoj që nëse me 1 qershor vijm qetu, edhe qeto probleme janë zgjidh. Unë po e jap si një far verzioni. Unë mendoj që dimri i vitit 2022/3, ka me qenë krejtësisht i pavrejtshëm, si disa dimra të 2015-ës, 2016-ës”, ka thënë Konjufca në Rtv Dukagjini.

Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muajt e fundit të vitit të kaluar. Qeveria ka ndarë disa miliona euro për subvencionimin e energjisë, derisa ZRRE-ja ka propozuar ndryshim të tarifimit për ata që shpenzojnë më shumë se 600 kWh.

Kjo është kundërshtuar nga opozita, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta.

Shpërndaje në: