Sali Berisha shan ulët Lulzim Bashën

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në shtatoren e Azem Hajdarit tek Qyteti Studenti me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë.

Lideri historik i demokratëve u takua me bashkëshorten e Hajdarit dhe djalin e tij të vogël  që mban të njëjtin emër si i ati, Azem Hajdari. Më pas, Berisha dhe të pranishmit vendosën kurora me lule në shtatore. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se sheshin ku ndodhej filloi revolucioni paqësor më i madh në historinë e kombit shqiptar.

“Revolucion paqësor, i cili do të sillte vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe përmbysjen e diktaturës së egër staliniste të Enver Hoxhës”, tha Berisha.

Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte lëvizja e idealeve më të pastërta njerëzore të studentëve shqiptarë, sipas Berishës. Berisha foli edhe për situatën e PD-së ku tha se kryetari i saj meriton të quhet “Lulzim Boshi”.

“Në këto 8 vite, demokratët derdhën sakrifica. Por ata kaluan nga një humbje në humbje tjetër, jo për shkak të tyre, por për shkak të një njeriu që pas 8 vitesh meriton të quhet, as pak e as më shumë se Lulzim Boshi dhe pengkryetari”, tha Berisha.

Ish-kryeministri nuk la pas thumbimet ndaj Edi Ramës.

“Në kohë kur sheshet dhe rrugët këtu ishin të mbushura me studentë dhe qytetarë, në ndërtesën e pushtetit të mbledhur nën presionin e Lëvizjes Studentore lëshoheshin thirrje t’u fusnin tanket, të marrim armët kundër studentëve liberatorë. Për ironinë e fatit këto thirrje i kryesonte ish-xhelati i inteligjencës shqiptare, bllokmeni Spiro Koleka, idhulli dhe daja i kreut të sotëm të meduzës, Edi Rama.

Edi Rama sapo filloi lëvizja studentore ia mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi çdo gjë. Në këto 8 vite, ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me nostalgjinë e modelit të etërve të tij zhbëri në mënyrë kriminale arritjet e mëdha të njëpasnjëshme jetësore të shqiptarëve. Në këto 8 vite koha jo vetëm që ndaloi në shumë aspekte, por bëri edhe prapa kthehu”, tha Berisha./tvklan