Saliu pas përjashtimit nga PD: Nuk njoh vendime nga të vdekur politik

Saliu pas përjashtimit nga PD: Nuk njoh vendime nga të vdekur politik

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që është rebeluar edhe ndaj partisë së vet ka reaguar për herë të parë pas përjashtimit të tij nga Partia Demokratike, të martën e 11 janarit. Sipas tij, ai ishte një vendim i marrë nga “të vdekurit politikë” dhe nuk përbën asnjë lajm.

Berisha edhe njëherë ka përsëritur se, në protestën e thirrur nga ai më 8 janar, “Basha me kriminelët e Ramës, dhunuan njerëzit”.

“Data 8 faktoi se ai është ish-lider, që mbrohet me vrasës, trafikantë, fondamentalistë, të cilët flitet se janë të pjesëmarrës në formacionet e Al Bagdadit, trafikantë droge, pengmarrës”, tha Berisha.

Ai ngulmoi se, demonstrata e 8 janarit ishte paqësore, ndonëse u thyen dyert dhe u hodh gaz lotsjellës. Sipas tij, ajo protestë kishte dy qëllime kryesore.

Si fillim të nxirrej kreu legjitim i PD-së jashtë selisë dhe më pas të nxirreshin “persona të inkriminuar”.

“Shkuam për të nxjerr jashtë selisë vrasësit, banditët. Për të nxjerr nga zyra butësisht jo me të prekur, deputetin Lulzim Basha. Këto të dyja ishin qëllimet”, tha Berisha.

Për të protesta e thirrur nga ai vetë vjen pas shkeljeve të lirive që u janë bërë njerëzve.

“Basha do të dilte me pekule nga zyra, por gazi që u hodh ndryshoi edhe rrugën”, deklaroi ish-kryedemokrati.

Sa i përket raportit të PD-së, dërguar ndërkombëtarëve, Berisha tha se, Basha do “t’i bëjë për të qeshur ndërkombëtarët me raportimin për protestën dhe për përjashtimin e tij nga partia”.

Ai paralajmëroi se, do të bëjë të njëjtën gjë, duke përgatitur një raport të ri.

Gjithashtu, Berisha ravijëzoi se, do të jetë i pranishëm në seancën parlamentare të 17 janarit.

Shpërndaje në: