Salla e UP-së merr emrin e Idriz Ajetit

Salla e UP-së merr emrin e Idriz Ajetit

Akademik Idriz Ajeti do të mbetet pionier i gjuhës shqipe, frymëzim për pasardhësit për dekada e shekuj me radhë dhe gjurmët e tij do të mbeten përjetësisht pjesë e historisë të popullit shqiptar.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku është vlerësuar lart jeta dhe vepra e akademikut Idriz Ajeti, i cili ndërroi jetë më 13 shkurt të këtij viti në moshën 102-vjeçare.

Me këtë rast u bë e ditur se salla ku është mbajtur konsulta gjuhësore e Prishtinës më 1968 dhe ku është themeluar Seminari Ndërkombëtar më 1974, do të quhet “Salla Idriz Ajeti”.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se akademik Ajeti, me kontributin e tij, arsimin e lartë, la një thesar të tërë pas vetes, duke qenë shembull për studentët, kolegët dhe për të gjithë ata që e njohën.

“Ndonëse akademik Ajeti u nda fizikisht nga kjo jetë, figura si ai janë të përjetshme dhe shërbejnë si frymëzim për pasardhësit për dekada e shekuj me radhë. Profesor Ajeti me veprimtarinë e tij na la shumë për ta kujtuar dhe për ta nderuar. Ai ishte intelektual, albanolog, pedagog dhe albanolog i shkëlqyer. Gjatë jetës së tij, preku majat e shkencës dhe gjuhësisë në vend dhe jashtë tij. Kontributi i tij për disa dekada në UP, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucionit tonë”, tha ai.

Ndërsa profesor Bardh Rugova, shef i Departamentit të Gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik, ka bërë të ditur se këtë të premte, me një vendim të Këshillit të UP-së, salla ku është themeluar seminari Ndërkombëtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe më 1974, ka marrë emrin “Idriz Ajeti”.

“Kosova nuk ka shumë për tu mburrur, pak albanologji, pak institucione prestigjioze me renome ndërkombëtare, aty këtu ndonjë revistë, pak kulturë, ky universitet, një grimë pavarësie, e secila prej tyre ka diku ja firmën, ja gjurmët e gishtërinjve të këtij njeriu. Idriz Ajeti është njëri ndër gjuhëtarët pionierë të Kosovës, themelues dhe drejtues i disa revistave, institucioneve albanologjike në Kosovë, kryetar i Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet paralele të vitit 1998 dhe pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë një vit më vonë”, tha Rugova.

Në emër të familjes me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua mbesa e akademikut të ndjerë, Remzije Ajeti, e cila tha se Idriz Ajeti do të jetë udhërrëfyesi më i mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Çdo ditë e jetës e axhës Idriz, ishte faqe e një biografie aq të pasur e aq të ndritur, të cilën ai gjatë rrugëtimit një shekullor u kujdes që ta shkruante aq mirë dhe me aq kujdes, jo vetëm si student e pedagog, shkencëtar e themeltar i institucioneve të arsimit të lartë, humanist e veprimtar, por edhe si bashkëshort e familjar i jashtëzakonshëm. Për ne, ai ishte dhe do të mbetet udhërrëfyes i një jete të suksesshme dhe një figure shumë fisnike”, u shpreh ajo.

Akademik Idriz Ajeti ndërroi jetë më 13 shkurt të këtij viti, duke lënë pas vetes gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare. Ai deri në vitin 1973 kishte shërbyer në pozita të ndryshme menaxheriale, ku po atë vit kishte arritur kulmin e karrierës  si rektor i UP-së, ku shërbeu deri në vitin 1975, duke dhënë kështu kontribut të jashtëzakonshëm për Universitetin e Prishtinës.

 

Shpërndaje në: