Samiti i Berlinit s’pritet të sjellë rezultate në dialog, thonë ekspertët

Samiti i Berlinit s’pritet të sjellë rezultate në dialog, thonë ekspertët

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit i cili do të mbahet më 3 nëntor nuk pritet të ketë ndonjë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Samiti i Berlinit, i cili mbahet për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz, nga njohësit e politikës së jashtme, shihet si vazhdimësi e samiteve të kaluara, pa prodhuar ndonjë zgjidhje për Ballkanin Perëndimor.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se lufta në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian ta rikthejë vëmendjen drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, që sipas tyre këto shtete kanë mbetur pa u evropianizuar.

Profesori universitar Dorajet Imeri, thotë se samiti i 3 nëntorit është vazhdimësi e samiteve për 25 vite më radhë.

“Në fakt janë mbajtur shumë samite të kësaj natyre të cilat mund të thuhet se përveç deklarimeve kurtuazie të bartësve të politikës së Bashkimit Evropian e të cilët ftojnë për përmbushje të kritereve evropiane nuk është se kemi pasur kohëve të fundit një farë vendosmërie reale të akterëve kryesor të BE-së për ta pasuar përfundimisht Ballkanin”, thotë Imeri.

“Nëse kthehemi në retrospektivë situata del më komplekse sesa ky deklarim sepse procesi integrues i shteteve të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian ka filluar më shumë se 25 vite, me samite të cilat janë mbajtur në atë kohë, për të treguar rrugën që këto vende duhet ta ndjekin. Vonimi i Bashkimit Evropian për ta evropianizuar Ballkanin dhe fokusimi i sajë në Lindje, e kanë lënë Ballkanin jashtë rrjedhave”, thotë tutje ai.

“Pozicionimet e reja që kanë ndodhur në raport me Rusinë, kanë dëshmuar se Ballkani nuk mund të lihet anash, prandaj konsideroj që takimi si samiti i ardhshëm që do të mbahet në tetor për procesin e Berlinit, është shumë i rëndësishëm për vetë Ballkanin, sepse konsiderohet që do të rikthejë fokusin e Bashkimit Evropian ndaj këtyre shteteve”, u shpreh ai.

E sa i përket vizitave të diplomatëve, Imeri i konsideron si shtytje të dialogut dhe shihet si kërkesë e tyre për marrëveshje finale. Ai thotë se Kosovës dhe Serbisë u është bërë e qartë që këto dy shtete duhet të prodhojnë një zgjidhje.

“Pritet që të kërkohet rishtazi që Kosova dhe Serbia të prodhojnë një marrëveshje, angazhimi i këshilltarëve të jashtëm të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, është në këtë linjë, pra ata ia kanë bërë të qartë Serbisë dhe Kosovës se ata duhet të prodhojnë një zgjidhje të shpejtë, që nënkupton se kemi shumë faktorë të përfshirë në këtë proces, ndërkaq procesi i Berlinit provon që ndoshta përmes mekanizmave të saj të mund të përafrojë palët drejt një marrëveshje që do të ishte e pranueshme”.

Ndërsa profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, AvniMazrreku, e sheh si dështim zgjerimin e Bashkimit Evropian, teksa nuk pret anëtarësim të këtyre shteteve në BE.

Mazreku thotë se duke e parë dështimin e zgjerimit të BE-së, shteteve të Ballkanit Perëndimor u ka rënë entuziazmi i tyre për anëtarësim në BE.

“Duke e parë nga këndvështrimi, përkatësisht ngecja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me anëtarësimin në Bashkimin Evropian ose me e identifikuar edhe si dështim i politikës së zgjerimit të BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor, nuk duket situatë optimiste që ndonjëri nga vendet e Ballkanit të mund të realizojnë anëtarësinë e saj në Bashkimin Evropian, dhe kjo mendoj që nuk është vetëm dështim i përpjekjeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE, por rënie e entuziazmit për zgjerimin e vetë Bashkimit Evropian. Takimet e radhës që kanë të bëjnë me forcimin të agjendës së Berlinit, shkojnë në funksion të rikonsiderimit të politikës së zgjerimit të BE-së”, u shpreh Mazrreku./EO

Shpërndaje në: