Samsung Galaxy One vjen me ekran 3D dhe Sidetouch

Samsung Galaxy One vjen me ekran 3D dhe Sidetouch

Edhe pse Samsung Galaxy S11, S11 Plus dhe S11e pritet të vijnë në fillim të vitit të ardhshëm, kompania jugkoreane duket se po përgatit një telefon tjetër të nivelit të lartë të quajtur Galaxy One.

Vitet e fundit kemi parë një prirje të minimizimit të skajeve rreth ekranit, duke u dhënë përdoruesve një desktop më të madh pa rritur dimensionet e përgjithshme të pajisjes. Disa nga shembujt më ekstremë të kësaj janë Vivo NEX 3 5G si dhe Xiaomi Mi Mix Alpha.

Samsung ka kohë që po ofron telefona me të ashtuquajturin ekran Edge, dhe ndërsa kompania zhvillon ekrane për qëllimet e veta, patenta e zbuluar kohët e fundit që Samsung ka paraqitur tregon që ne gjithashtu presim diçka krejt të re në të ardhmen e afërt.

Patenta është paraqitur në Zyrën e Patentave të SHBA-së më 14 mars 2019 dhe është botuar më 7 nëntor 2019.

Në patentën e lartpërmendur, ne shohim një ekran që lakohet jo vetëm nga anët, por edhe nga lart dhe poshtë, duke dhënë kështu një përshtypje 3D. Përveç kësaj, ana e telefonit ka edhe kontrolle speciale, të ngjashme me ato te Huawei Mate 30.

Në dokumentacionin e patentës shohim një telefon me ekran të sheshtë, i cili është i rrumbullakosur nga të gjitha anët për të mbuluar skajet e telefonit. Në këtë mënyrë, ekrani mbulon praktikisht pjesën e përparme të plotë të telefonit, transmeton KosovaPress.

Tre nga katër skajet janë të përkulura në të njëjtën mënyrë, ndërsa vetëm pjesa e poshtme ka një lakim të lehtë. Antenat janë të vendosura brenda ekranit nga lart dhe poshtë.

Skajet e lakuara gjithashtu mund të shfaqin përmbajtje në formën e ikonave. Kjo nuk është hera e parë që Samsung e ka patentuar këtë model, pasi një pajisje me një zgjidhje të ngjashme u patentua në vitin 2018.

Kjo teknologji vlen jo vetëm për telefonat, por është e zbatueshme edhe për tabletët dhe orët e zgjuara.

Megjithëse Samsung nuk ka pajisje të tilla, teknologjia është teorikisht e zbatueshme për konzollat e lojërave handheld, siç pretendohet në patentë. Gjithashtu, teknologjia është e përdorshme në pajisje me format të madh si TV.

Nuk dihet kur Samsung mund të lansojë telefonin e tij të parë me një ekran 3D. Telefoni tjetër ka të ngjarë të jetë Samsung Galaxy S11, i cili pritet në shkurt të vitit 2020.

Shpërndaje në: