I sapozgjedhuri në Akademi Nexhat Daci është jokredibil

I sapozgjedhuri në Akademi Nexhat Daci është jokredibil

Me zgjedhjen e Nexhat Dacit në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), po bëhen plot dy dekada e gjysmë që ky institucion udhëhiqet vetëm nga akademikët që vijnë nga Kosova Lindore, gjegjësisht nga Presheva, Bujanoci e Medvegja.

Duke marrë për bazë dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 05/L -038 mbi Akademinë, duke iu referuar Nenit 3 dhe 4, ku veprimtaria e Akademisë cilësohet si veprimtari e interesit të veçantë publik, si dhe interesi i veçantë publik i Akademisë shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin promovimin, kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike. Elita – ose mendja e ndritur e një kombi apo truri i kombit është i varur nga përbërja dhe cilësia e Akademisë.

Ky institucion shkencor, edhe pse për kaq vite udhëhiqej nga akademikët që vijnë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, mund të konsiderojmë se ishte aq passive në raport me sensibilizimin dhe ndihmesën për përhapjen e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë jashtë vendit, në këtë rast në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe në kundërshtim të vet Ligjit të kësaj Akademia si dhe statutit të saj.

Kjo Akademi me akademikët e Kosovës Linore deri më tani asnjëherë nuk ndërmori ndonjë iniciativë me qëllim të përhapjes së mendimit shkencor tek ata njerëz, apo tek klasat politike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Duke pasur parasysh rrjedhat historike që po kalon ky rajon ka nevojë më shumë se kurrë për mendime, këshillime, dhe deklarime në dobi të çështjes shqiptare.

ASHAK-u këtë pasivitet të saj, dhe mosinteresimin për atë pjesë, do ta vazhdojë edhe gjatë mandatit të Nexhat Dacit. Daci këtë pozitë e ka ushtruar edhe më pare, gjatë viteve 1999-2002, kohë kur zhvillohej lufta në PBM, dhe Akademisë nuk iu dëgjua zëri.

Ai e ka të humbur kredibilitetin si në politikë ashtu edhe në fushën shkencore: fillimisht në një afire gjyqësore që e kishte shpallë fajtor për përfitime personale me paratë e buxhetit të shtetit, pastaj shkarimit nga detyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe mbi të gjitha dështimet politike me themelimin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD). Por gjithashtu duhet pasur parasysh se kohëve të fundit akademik Dacit i pëlqenin edhe fjalimet nxitëse e përçarëse dhe me përmbajtje anti-kombëtare të Shefqet Krasniqit, i cili gjatë përurimit të librit të Krasniqit, i kishte thurrë vargje lavdie duke çmuar “të arriturën shkencore” të këtij hoxhe, i cili përballet me akuza edhe për nxitje të terrorizmit.

Depërtimi i krimbit të selefizmit edhe në këtë institucion me rëndësi jetike për të ardhmen e kombit shqiptar, ka një rrezik serioz. Dhe më së paku i duhet edhe më tutje ky mentalitet joetik, joprofesional dhe mbi të gjitha në kundërshtime me vlerat civilizuese.

Në këtë këndvështrim, riardhja e Dacit në krye të Akademisë nënkupton zbehje të mëtejme të vetë rëndësisë dhe vlerës që ka ky institucion. Dhe për më tepër krijon hapësirë për afirmimin e njerëzve, kuadrove joprofesioniste e joetike, por edhe të atyre me interesa klanore e politike. Kjo zgjedhje në krye me Dacin nuk do të jetë asgjë tjetër pos vazhdim i mentalitetit të vjetër të heshtjes dhe bërjes ‘sehir’ nën hijen e saj duke shfrytëzuar ato beneficione e rroga të majme nga taksat e popullit të Kosovës.

Shpërndaje në: