Sasi, nënshkrues i raportit të Dick Marty-it në KiE: Atëherë kishte materiale sa për një hetim, por e drejtë të rishikohet Rezoluta

Sasi, nënshkrues i raportit të Dick Marty-it në KiE: Atëherë kishte materiale sa për një hetim, por e drejtë të rishikohet Rezoluta

Asambleja e Përgjithshme në Këshillin e Evropës (KiE) në vitin 2011 miratoi një rezolutë bazuar në raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për trafikim organesh të qenieve njerëzore.

Një nga nënshkruesit e kësaj rezolute ishte edhe politikani finlandez nga Koalicioni Nacional i qendrës së djathtë, Kimmo Sasi, i cili në një përgjigje  për Albanian Post, thotë se nuk i kujtohet fort qartë se çfarë përmbanin materialet në atë kohë.

Megjithëse, duke mbrojtur pozicionin e tij, ai pohon se kishte material të bollshëm për të filluar një hetim.

“Nëse më kujtohet mirë në atë kohë kishte material të mjaftueshëm që të shkruhej një hetim dhe një raport”, kujton ai.

Shqipëria me 21 korrik të këtij viti votoi unanimisht një Rezolutë “Mbi pagabueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Kurse, me 12 tetor, Edi Rama po në Këshillin e Evropës, do të provojë për një orë rresht të dëshmojë se të gjitha këto pretendime ishin të pabazuara.

Përfaqësuesi i Finlandës në Asamblenë e KiE, rezolutën e shtetit shqiptar e sheh si të drejtë për shkak të mundësisë së rishqyrtimit të rezolutës së miratuar më 2011 mbi të cilin u themelua edhe Gjykata Speciale, e cila mban në burgim aktualisht Hashim Thaçin dhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së, derisa në aktakuzën e tyre nuk përmendet askund se akuzohen edhe për trafikim me organe njerëzish.

Kimmo Sasi
“Megjithatë, mendoj se secili ka të drejtë të paraqesë prova të reja dhe të mëtejshme në këtë rast dhe të marrë një rishqyrtim të çështjes në proces”, shpjegoi ai.

Por Sasi pretendon se nuk i ka ndjekur zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me këtë çështje, madje ai nuk i di as faktet e as çfarë po ndodh aktualisht me rezolutën që ai e kishte nënshkruar para 11 viteve.

“Nuk i kam ndjekur zhvillimet në këtë rast. Unë nuk i di faktet”, deklaroi ai.

Asambleja e Pergjithshme ne KiE
Rezoluta e Shqipërisë kërkon nga Asambleja Parlamentare e KiE të rishikojë Rezolutën 1782, atë të viti 2011, dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë nevojë për rishikim do flas edhe Edi Rama në Asamblene e Përgjithshme me 12 tetor.

Ky fjalim përbën përpjekjen më serioze për rishikim të rezolutës qysh nga votimi i saj dhe në rastin më të mirë, një votim shtesë i të njëjtës rezolutë, ku do të thuhej se asnjë nga akuzat e paraqitura në raportin e Marty-it, autor i të cilit ishte rusi, Konstantin Kosachev (nga viti 2018 në listën e zezë të qeverisë amerikane), nuk është vërtetuar.

Sikur nisma e kryeministrit shqiptar, mbështetur edhe nga parlamenti i Shqipërisë, ta realizojë vetën duke mundësuar një votim që rrëzon Rezolutën e vitit 2011 kundër UÇK-së, do përbënte fitoren më të madhe ndërkombëtare të Kosovës qysh nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë.

Shpërndaje në: