SBASHK publikon rezultatet: 54.88% e anëtarëve pro pezullimit të grevës, 45.12% kundër

SBASHK publikon rezultatet: 54.88% e anëtarëve pro pezullimit të grevës, 45.12% kundër

SBAShK ka publikuar rezultatet e votimit lidhur me vazhdimin ose jo të grevës në fushën e arsimit.

Sipas SBAShK, në votim morën pjesë 21.516 ose 86.91% të anëtarëve të Sindikatës.

Nga ky votim, pro pezullimit të përkohshëm të grevës janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.

“Qëndruat dinjitoz e bashkë e në SBASHK edhe gjatë gjithë grevës, që erdhi pa dëshirën tuaj, po për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime” thuhet në njoftimin e SBAShK.

Rezultatet e votimit do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së, dhe pastaj do të shpallet vendimi për grevën.

Ky është postimi i plotë i SBAShK:

Të nderuara anëtare, të nderuar anëtarë të SBASHK-ut ju drejtohemi sonte duke ju shprehur respektin për qëndrimin dinjitoz gjatë gjithë viteve e dekadave të punës në misionin e shenjtë për edukimin e arsimimin e brezave. Qëndruat dinjitoz e bashkë e në SBASHK edhe gjatë gjithë grevës, që erdhi pa dëshirën tuaj, po për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime. Na fyen e linçuan, por ari nuk përlyhet. Ju  ishit dhe mbeteni luftëtarë të dritës kundër errësirës. Të vazhdojmë rrugëtimin Bashkë e në SBASHK.

SBASHK edhe njëherë dëshmoi se vepron  duke u bazuar në zërin e anëtarësisë, e jo, siç janë munduar të plasojnë shpifje disa individë a grupacione se vendosin individë të caktuar. Kështu u veprua edhe lidhur me grevën e filluar më 25 gusht.

Këshilli Grevist i SBASHK-ut i është drejtuar anëtarësisë, që nga çerdhet  e deri në universitete që të deklarohen se si të veprohet  tutje.

Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë.  Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë  marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.

Nga të deklaruarit  pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.

Këto shënime do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK.

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut

Shpërndaje në: