SBASHK-u kërkon angazhimin e Kuvendit për marrëveshjen e Qeverisë me sindikatat

SBASHK-u kërkon angazhimin e Kuvendit për marrëveshjen e Qeverisë me sindikatat

SBASHK-u vazhdon angazhimet që të gjendet mundësi për dialog e marrëveshje me Qeverinë për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë e për të mos pasur nevojë për greva e protestë të përgjithshme.

Në kuadër të këtij angazhimi SBASHK u ka dërguar apel në adresat e tyre zyrtare elektronike deputetëve të Parlamentit të Kosovës duke apeluar që të angazhohen për debat konstruktiv dhe që të ketë dialog e marrëveshje të Qeverisë me sindikatat.

“Mungesa e gatishmërisë së Qeverisë për dialog ka bërë që të krijohet situatë e tensionuar dhe SBASHK e sindikatat tjera kanë nisur me veprime të kufizuara e të përshkallëzuara sindikale, por duke i dhënë kohë e hapësirë Qeverisë për dialog e marrëveshje”, thuhet në letër.

SBASHK-u mbajti një protestë më 8 prill dhe grevë njëorëshe më 12 maj në tërë sektorin e arsimit, ndërsa tash paralajmëron grevë për datën 20 maj dhe nëse edhe pas kësaj nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë, atëherë do të shkohet në grevë të përgjithshme.

“Të premten, më 20 maj, do të jetë protestë me pjesëmarrje të të punësuarve në arsimim dhe tërë sektorin publik. Nëse edhe pas kësaj Qeveria nuk angazhohet për dialog e marrëveshje me sindikatat, atëherë arsimi dhe sektorët tjerë po shkojnë drejt grevës së përgjithshme, të cilën ne nuk e dëshirojmë dhe prandaj po ju drejtohemi juve të nderuara deputete dhe juve deputetë të nderuar që të angazhoheni dhe në një debat konstruktiv të ndihmoni që të ketë dialog e marrëveshje të Qeverisë me sindikatat”, thuhet në letër.

Shpërndaje në: