SBASHK-u në grevë deri në finalizimin e Ligjit për paga

SBASHK-u në grevë deri në finalizimin e Ligjit për paga

Kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim parauniversitar, Samir Shahini ka folur për kërkesën e drejtorëve të arsimit për miratim të Ligjit për Paga.

Shahini tha se greva e përgjithshme e SBASHK-ut do të jetë deri në finalizim të Ligjit për Paga.

“Urojë të jetë një ditor, por greva e përgjithshme nënkupton që mësimdhënësit të jenë në grevë dhe gjithë punëtorët administrativ deri në finalizim të Ligjit për Paga”, ka deklaruar ai.

Shahini thotë se si Kolegjium janë të gatshëm të ndihmojnë dhe të ndikojnë përmes thirrjeve zyrtare që Ligji për Paga të përshpejtohet.

“Kërkesat e tyre duket se gjejnë zgjidhje të gjitha në projektligjin për Paga i cili është stërvonuar. Ne potencuam se si kolegjium jemi të gatshëm të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi dhe të ndikojmë edhe qoftë përmes thirrjeve zyrtare që ky ligj të përshpejtohet sepse edhe ashtu është stërvjetëruar dhe është konsumuar shumë dhe nuk shohim arsye për vonesë të finalizimit të këtij ligji”, ka deklaruar Shahini në Tëvë1.

Shahini uron që të gjendet një zgjidhje para afatit të paralajmëruar nga SBASHK-u.

Shahini  ka thënë se kanë dy probleme kryesore, vonesën e Qarkores Buxhetore nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve si dhe vonesa e librave për nxënësit.

“Ne kemi dy probleme kryesore, e para është vonesa e Qarkores Buxhetore nga ana e Ministrisë së Financave, që vonon planifikimin dhe votimin në Kuvend të buxheteve komunale dhe sigurisht këtu është edhe pjesa e arsimit dhe në anën tjetër kemi ankesën e vonesës së librave për nxënësit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ende nuk kanë pranuar asnjë libër.

Shpërndaje në: