Scholz nga Shkupi: Gjermania është serioze për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Scholz nga Shkupi: Gjermania është serioze për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas vizitës në Kosovë e Serbi, sot ka vazhduar udhëtimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.

Ai njoftoi se atje është takuar me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovachevski, të cili i ka përcjellë edhe mesazhin se BE-ja do ta mbajë fjalën e saj për hapjen e negociatave, sidomos ndaj Maqedonisë së Veriut

Scholz nga këtu përçoi edhe zotimin e shtetit të tij ndaj të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Union.

“BE-ja e ka dhënë fjalën e saj, sidomos ndaj Maqedonisë së Veriut, për hapjen e negociatave për anëtarësim pa vonesë. Këtë gjë ia thashë gjithashtu kryeministrit Dimitar Kovachevski. Gjermania është serioze për integrimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Scholz në Twitter pas takimit që pati me udhëheqësin maqedonas, raporton Gazeta Express.

Ndërkaq, ky i fundit në Twitter tha se ishte kënaqësi të priste kancelarin gjerman në Shkup, të shoqëruar nga këshilltarët më të lartë të qeverisë federale të Gjermanisë, si dhe emisarin special të emëruar rishtas për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Pas Shkupit, Scholz do të vazhdojë në Sofje të Bullgarisë. Në qendër të bisedimeve të shtunën qëndron grindja mes Shkupit dhe Sofjes që pengon hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Bullgaria e pengon prej vitesh këtë duke ngritur pretendime historike. Derisa ditën e parë të vizitës, Scholz apeloi në Prishtinë dhe Beograd për përshpejtimin e reformave që iniciojnë procesin e anëtarësimit. Kancelari gjerman kërkoi nga Serbia t’iu bashkëngjitet sanksioneve të BE-së dhe e theksoi se duhet njohje e ndërsjellë me Kosovën në mënyrë që të dyja shtetet të bëhen anëtare të BE-së.

Shpërndaje në: