“S’do ta quajmë Albin Kurtin tradhtar për dialogun me Serbinë”

“S’do ta quajmë Albin Kurtin tradhtar për dialogun me Serbinë”

Xhavit Haliti është një prej politikanëve më aktivë të Partisë Demokratike të Kosovës në debatet politike që zhvillohen në vend. Në një intervistë për Periskopin, ai ka folur për çështjen e dialogut, Albin Kurti si kryeministër, bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe tërheqjen e fletë-arrestit për Milan Radoiçiqit.

Haliti ka pasur ton kritik ndaj qeverive të mëhershme në të cilat merrte pjesë edhe partia e tij, PDK-ja, ndërkohë që ka deklaruar se kjo parti do të bashkëpunojë me Kurtin dhe Vetëvendosjen në të mirë të vendit.

Një deklaratë kjo që nuk është aq befasuese marrë parasysh opozitarizmin e PDK-së gjatë vitit 2020.

Ai ka qenë tepër i irrituar me tërheqjen e fletëarrestit për Milan Radoiçiqin, politikanin serb që ishte i dyshuar për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Haliti në këtë intervistë ka folur edhe për pasojat që mund të ketë vendi në rast se Kurti vendos masën e reciprocitetit dhe nuk futet në dialogun me Serbinë.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Periskopi: Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë ia bëri të qartë kreut të VV’së, Albin Kurtit se dialogu duhet të përfundojë gjatë mandatit të tij qeverisës. Ndërkohë z.Kurti nuk e ka prioritetizuar këtë çështje. Çfarë mendoni se do të ndodh tutje?

Xhavit Haliti: Kjo vizita e Lajçakut është shumë e rëndësishme për Kosovën, Bashkimin Evropian dhe stabilitetin në rajon. Ajo që Kurti ka çështje të gjashtë ose të shtatë, ai mund ta ketë edhe të 17’të, por bisedimet duhet të vazhdojnë dhe ne nuk jemi aq kompetentë dhe me aq ndikim në politikat ndërkombëtare që t’ia imponojmë BE’së dhe SHBA’së se cilat janë prioritetet tona. Kosova, liria e saj aq sa kemi përfitu edhe është investim njerëzor, material, politik, ushtarak edhe i BE’së edhe i SHBA’së. Nuk mund të shkëputemi pse i shkruajmë në letër prioritetet. Unë e kuptoj se prioriteti është zhvillim ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe për punësim të qytetarëve. Është tepër i rëndësishëm për Kosovën. Po aq është e rëndësishme edhe politika e jashtme e Kosovës dhe politika e brendshme në raportet ndër-nacionale dhe në çështjet që kanë të bëjnë me stabilizimin dhe integrimin e rajonit në BE. Kosova duhet të vazhdojë bisedimet sepse prej tyre Kosova nuk humb asgjë. Bisedimet në Bruksel janë të domosdoshme dhe do të ishte përparësi edhe për Kosovën të ballafaqohet me gjitha çështjet.

Periskopi: Cili është roli i unifikimit të partive politike para shkuarjes në bisedime në Bruksel dhe a besoni se do të arrihet një pajtim?

Xhavit Haliti: Nuk duhet shkuar në Bruksel pa biseduar me njëri-tjetrin në Prishtinë sepse në vazhdimësi sa janë sfidu këto bisedime, pala që ka shku është shpallë tradhtar në Prishtinë. Nuk kisha dashtë që të shpallen tradhtarë ata që bisedojnë, por që të zbatojnë politikat shtetërore që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit dhe politikat unifikuese të spektrit politik në Kosovë. Shkuarja në delegacione qysh kanë shku përpara, pra 50 vetë në Bruksel, s’është gjë ajo punë. Por në Prishtinë ne duhet të bisedojmë dhe të jemi transparentë me njëri-tjetrin dhe të vendosim për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës.

Periskopi: Kur po e përmendni bashkëpunimin e partive në këtë çështje, cili do të jetë roli i PDK’së në opozitë. Sa do të jeni bashkëpunues me Lëvizjen Vetëvendosje?

Xhavit Haliti: Vetëvendosje së pari është parti shqiptare e Kosovës dhe kanë fitu zgjedhjet. Interesi po aq sa i VV’së, është edhe i PDK’së, partive tjera, edhe atyre jo-shqiptare që të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin problemin që ka të bëjë me një nyje politike që do ta lironte krejt edhe Ballkanin nga kjo situatë që kemi dhe do ta përshpejtonim integrimin në Bashkimin Evropian. Unë nuk e besoj që ka dikush në PDK që kusht e ka VV’në ose partinë e tyre që ka vetëm kundërshtimin e PDK’së. Kuptohet që në opozitë, ne do të luajmë rolin tonë opozitar por interestat e vendit ne kemi dhënë shembullin edhe në legjislaturën e kaluar, se kur janë në pyetje interesat e vendit. Ne do të jemi dakord që pas bisedimeve dhe marrëveshjeve edhe t’i votojmë në paralement dhe të mbështesim punën e mirë që mund ta bëjë Qeveria.

Periskopi: Çka nëse Albin Kurti e vendos reciprocitetin dhe  Serbia prapë refuzon të futet në dialog?

Xhavit Haliti: Në qoftë se Kurti ose kushdo qoftë, vendos çështje që janë në kundërshtim me orientimet perëndimore dhe me interesat e Kosovës, fati i asaj qeverie do të jetë shumë i shkurtër. Jetëgjatësia e asaj qeverie do të jetë shumë e shkurtër.

Periskopi: Cilat besoni se do të ishin pasojat për Kosovën nëse Kurti me qeverisjen e tij vendos të bojkotojë dialogun përkundër thirrjeve ndërkombëtare?

Xhavit Haliti: Pasojat janë gjithë këto që janë. Kemi nevojë për zhvillim ekonomik, treg të lirë, demokratizim, e jo shumë për patriotizëm të madh. Çështja e lirisë është e vulosur. Nuk mund ta ndryshojë kush kursin politik, as të Amerikës e as të BE’së në raport me pavarësinë e Kosovës. Por ne mund ta pengojmë zhvillimin ekonomik, integrimin e Kosovës në BE dhe mund t’i japim argumentet shtesë të Serbisë për të na luftuar përmes mekanizmave të saj diplomatikë dhe të na akuzojë se ne nuk jemi të gatshëm për temat të cilat edhe BE edhe SHBA janë të interesuara që të jenë të zgjidhshme. Kosova humb me një kryeneqësi në raport me BE’në. Ata nuk na rrehin, kuptohet as nuk na shtijnë në burg pse po i kndërshtojmë por ne e dëmtojmë veten tonë sepse jemi të kufizuar në gjitha të drejtat që i kanë shtetet e tjera.

Periskopi: Si e shihni vendimin e Supremes për tërheqjen e fletë-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit?

Xhavit Haliti: Në Kosovë janë dy ngjarje të rëndësishme. Njëra është shumë e hidhur sepse Gjykata Speciale që ka marrë vendim për ta liruar nga akuzat atë kriminelin serb që ka qenë i akuzuar për vrasjen e nënkryetarit të Kuvendit, Ivanoviq, Radoiçiqi. Drejt me të thënë unë nuk e di si është  e mundur pa procedurë ligjore me e  liriu dhe unë po besoj që në analet e raportuesve të BE’së dhe drejtësia në Kosovë do të marrë nota negative.

Periskopi: Si e shihni Qeverisjen e ardhshme në çështjet e brendshme, ku në krye pritet të vijë fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti?

Xhavit Haliti: Unë nuk mund të them pa e pa listën e Qeverisë dhe pa u miratu Qeveria në Parlament. Kurdo që kalon ajo, kur ta shohim programin e saj, kush do të jetë kryeministri, ministrat. Cili do të jetë programi i tyre, atëherë mund të japim mendim qoftë si individ qoftë si Qeveri. E rëndësishme do të jetë të shihet se si do të sillet me qytetarët vet zotëri Kurti dhe ajo Qeveri që mund të vijë pas konstituimit të Parlamentit dhe miratimit të Qeverisë.

Intervistoi: K.Misini

Shpërndaje në: