Së paku 17 të vrarë nga të shtënat festive të talibanëve, nervozohet Mujahidi: Mos gjuani, falënderojeni Zotin
Së paku 17 persona janë vrarë nga të shtënat e festës në Kabul, raportuan të shtunën agjencitë e lajmeve, pasi burimet e talibanëve thanë se luftëtarët e tyre e kanë marrë nën kontroll edhe provincën Panjshir, e fundit që ende ishte duke bërë rezistencë kundër tyre.
Sidoqoftë, udhëheqësit e grupeve kundërshtare ndaj talibanëve kanë mohuar se provinca e Panjshirit ka rënë në duart e grupit që tashmë e ka nën kontroll pjesën dërrmuese të shtetit.
Agjencia e lajmeve, Shamshad, raportoi se të shtënat në ajër të premten në Kabul lanë të vrarë 17 persona, ndërsa 41 mbetën të plagosur. Agjencia Tolo dha shifra të ngjashme, shkruan Reuters.
Zëdhënësi i një spitali në Jalalabad, Gulzada Sangar, tha se të paktën 14 persona janë lënduar nga të shtënat në ajër në shenjë feste në provincën Nangarhar.
Të shtënat në ajër e zemëruan zëdhënësin kryesor të talibanëve, Zabidullah Mujahid. “Shmangni të shtënat në ajër dhe në vend të kësaj, falënderojeni Zotin. Plumbat mund t’i lëndojnë civilët, prandaj mos gjuani pa nevojë”, shkroi ai në rrjetet sociale.