Së paku 46 të vdekur nga vërshimet në Indi

Së paku 46 të vdekur nga vërshimet në Indi

Të paktën 46 persona kanë vdekur nga vërshimet që u shkaktuan nga reshjet e dendura në rajonin verior indian, Uttarakhand.

Në pamjet e shfaqura në internet shihen rrugë të vërshuara, shtëpia të rrethuara nga uji dhe ura të rrëzuara, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ekspertët thonë se rajoni që ndodhet në Himalaje dhe është i popullarizuar për turistët po i pëson efektet e dyfishta të ndryshimeve klimatike dhe ndërtimeve të shumta.

Vërshimet e kanë prekur edhe rajonin jugor, Kerala, ku së paku 26 njerëz kanë vdekur në ditët e fundit.

Sipas departamentit indian të motit, të dyja rajonet kanë shënuar reshje të shumta këtë vit. Kerala, për shembull, ka regjistruar 453.5 milimetra reshje në krahasim me 192.7 milimetra, sa vlerësohet si sasi e zakonshme për këtë periudhë të vitit.

Nilesh Bharne, zyrtar i lartë policor, tha se në zonat e prekura nga vërshimet janë duke vazhduar përpjekjet për shpëtim. Agjencia për menaxhimin e fatkeqësive deri më tani ka angazhuar 16 ekipe, që raportohet se kanë shpëtuar 300 persona.

Shpërndaje në: