Sejdiu i reagon Hotit: Deri dje ju keni pasur partneritet me Veselin, jo PSD’ja

Sejdiu i reagon Hotit: Deri dje ju keni pasur partneritet me Veselin, jo PSD’ja

Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu i është përgjigjur kritikave të homologut të tij nga LDK-ja, Avdullah Hoti, që tha sot në një konferencë për shtyp se pushteti po arrin të kalojë në Kuvend vetëm ligjet për të cilat paraprakisht ka marrëveshje me PSD-në.

Sejdiu është shprehur se “si shef i GP të LDK-së, Avdullah Hoti paska bërë edhe një përpjekje për ta maskuar paaftësinë e tij në sfidimin e qeverisë duke e sulmuar PSD-në”.

“Paaftësinë e tij në bashkërendimin opozitar nuk mund ta maskojë me faktin se me Kadri Veselin ka pasur bashkëqeverisje Avdullah Hoti e jo Partia Socialdemokrate. Sulmet ndaj PSD-së nuk e maskojnë as partneritetin e tij të djeshëm me Kadri Veselin dhe as paaftësinë e tij të sotme për ta sfiduar sot pushtetin e Kadri Veselit”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se nënshkrimet e PSD-së për rrëzimin e qeverisë i ka moti Avdullah Hoti, por edhe gatishmërinë e vullnetin për ta ndërtuar strategjinë e përbashkët opozitare.

“Por, sigurisht se vullneti dhe gatishmëria e PSD-së nuk mjaftojnë për ta bërë më efikas dhe më të suksesshëm Avdullah Hotin”, ka thënë Sejdiu.

Shpërndaje në: