Sekretari i Federatës së Boksit: Kur menduam se po na lejojnë të hyjmë në Serbi, erdhi urdhëri nga lart

Sekretari i Federatës së Boksit: Kur menduam se po na lejojnë të hyjmë në Serbi, erdhi urdhëri nga lart

Ekipi i boksit të Kosovës nuk u lejua as sot të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që sonte nis në Beograd.

Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi.

I kontaktuar nga Express, sekretari i Federatës së boksit të Kosovës, Latif Demolli tha se nuk do ta arrijnë fillimin e Botërorit.

“U krye se sot bëhet matja dhe ceremonia e hapjes”, u shpreh Demolli kur u pyet nëse ka gjasa që ekipi i Kosovës të marrë pjesë në Botëror.

Tutje, ai tregoi edhe për udhëtimin për herë të tretë në kufirin me Serbinë.

“Ishim deri tani 2 orë në kufi dhe u futëm në territorin e Serbisë dhe na kontrolluan detajisht dhe kur menduam se na lejuan na informuan se prapë me urdhër nga lart boksierëve kosovarë i ndalohet hyrja në Serbi. Ne shkuam me urdher te KOK dhe Komitetit nderkombetar dhe presidentit Bah”, tregoi Demolli.

Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm.

Shpërndaje në: