Sekretari i MSH-së s’e ka ndërmend të largohet nga detyra

Sekretari i MSH-së s’e ka ndërmend të largohet nga detyra

Prokuroria e Shtetit para disa ditësh ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 64 të pandehurve, në mesin e tyre edhe zyrtar të lartë të shtetit. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretar i përgjithshëm i MSH-së, Gani Shabani, Remzije Thaqi, kryeinspektore e Farmacisë, Gani Bajraktari, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë  janë disa prej zyrtarëve të përfshirë në këtë aktakuzë.

Ndonëse Agani është liruar nga posti i ministrit në kabinetin e Qeverisë Mustafa, ndryshe janë duke vepruar personat e tjerë të përmendur në këtë rast.

Sekretari i i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani në një prononcim për “Indeksonline” thotë se ndjehet i pafajshëm dhe se nuk e ka ndërmend të largohet nga posti i tij.

“Unë nuk kam njëherë kurgjo, do të shikoj. Unë e ndijë  veten shumë të pafajshëm. Pasi ta marr lëndën do të shikoj se për çfarë është ngrit aktakuza”, ka thënë shkurt ai.

Ndërkohë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në aktakuzën e publikuar në media tregon se në rastin e MSH-së janë të përfshirë 60 persona fizik dhe 4 persona juridik.

Image

Përpos Aganit dhe Shabanit, aty janë të përmendur edhe 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucionet publike shëndetësore, si dhe 13 persona që kanë punuar ose punojnë në institucionet private shëndetësore, ku një numër prej tyre janë udhëheqës ose aksionar të këtyre institucioneve private shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë dhe Sekretari i kësaj ministrie janë akuzuar për shkak të veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par.1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur më nenin 31 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më ligjin për prokurimin publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, për periudhën 2011 -2015, i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat IMH në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat EDA në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzime për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Shpërndaje në: